Rinovimi apo largimi i mundshëm i Mauro Ikardit, është një ndër çështjet kryesore të ditëve të fundit në ambientin e Interit. Polemika të shumta, të cilat kanë ardhur dhe si pasojë e agjentes së argjentinasit, Vanda Nara, e cila ka krijuar paqartësi të shumta në lidhje me të ardhmen e kapitenit zikaltër.
Pak ditë më parë, me Vandën replikoi dhe drejtori teknik i Interit, Auzilio, i cili tha se nuk duhet të komunikohet nëpërmjet rrjeteve sociale, por gjërat duhet të thuhen në mënyrë personale. Lidhur me këto polemika, ka folur dhe ish-agjenti i Ikardit, Ablan Moreno, i cili ka folur ashpër ndaj bashkëshortes dhe agjentes së Mauros, duke thënë se Vanda Nara shqetësohet vetëm për paratë dhe nuk do t’ia dijë për rinovimin apo për futbollin.
“Ikardi ka dhënë shumë në fushë si sulmues. Sidoqoftë, ai ka një influencë të keqe në krah, e cila mendon vetëm për paratë. Puna e tij në fushë është fenomenale dhe ai është rritur shumë në futbollin italian, sepse mentalieti i tij dhe trupi i tij janë perfektë për Serinë A, por Vanda Nara shqetësohet vetëm për paratë dhe jo për imazhin dhe vlerat e kapitenit të Interit.
Çdo agjent mund të flasë për rinovimin, por mënyra se si e bën është mjaft e rëndësishme. Nuk mund të thuash që këto janë numrat e Ikardit dhe të vendosësh çdo gjë në rrjetet sociale. Ata duhet të shkojnë te drejtuesit e Interit dhe të flasin, në vend që të postojnë gjëra në internet”, ka përfunduar ish-agjenti i argjentinasit.