Barazimi 2-2 ndaj Bërnlit në “Stamford Bridge” nuk u prit mirë nga lojtarët e skuadrës së Çelsit. David Luiz ishte ndër më të acaruarit, teksa akuzoi në intervistën në përfundim të takimit se kundërshtari luajti anti-futboll duke kritikuar vonesat e shumta të lojës nga ana e lojtarëve të Bërnlit.
“Ky është anti-futboll. Vonuan lojën gjatë të gjithë takimit dhe vetëm rrëzoheshin e ndalonin ndeshjen. Të 11 lojtarët ishin brenda zonës së rreptësisë. Është e vështirë të shënosh ndaj një skuadre të tillë. Ata kishin vetëm dy shanse dhe i shënuan. Nuk kishin ardhur për të luajtur futboll”, tha Luiz.
Trajneri i Bërnlit, Shon Dajsh, u kundërpërgjigj me një batutë:“Na lejohet që të fitojmë ose të marrim një pikë ndaj klubeve të mëdha (qesh). Nuk kemi lojtarë me teknikë të lartë, pasi ata kushtojnë shumë. Jemi një skuadër që dimë si të mbrohemi dhe kjo është pjesë e lojës”.
Zëvendës trajneri i Çelsit, Xhanfranko Zola, u tregua më i përmbajtur duke u shprehur se arbitri i katërt duhet të kishte dhënë më shumë minuta shtesë: “Pesë minuta shtesë nuk ishin të mjaftueshme për të kompensuar vonesat e lojës. E prisnim të ishte një ndeshje e vështirë, por nuk e prisnim që të kishte kaq shumë vonesa loje. Prisnim më shumë minuta nga arbitri, prandaj jemi shumë të mërzitur. Skuadra nuk arriti të futej në ritmin e lojës. Prisnim të merrnim më shumë, sidomos pas humbjeve të Arsenalit dhe Junajtid, gjithsesi e morëm një pikë. Po luajmë futboll të mirë, do përmirësohemi dhe do vazhdojmë të luftojmë deri në fund”.