Nejmar pësoi një dëmtim në ndeshjen e kupës kundër Strasburgut dhe braziliani rrezikon të qëndrojë mbi një muaj pushim. Ylli i PSG pësoi një ndërhyrje në këmbën e djathtë, aty ku është dëmtuar dhe më parë. Sipas lajmeve që po qarkullojnë në mediet franceze, fraktura mund ta lërë të paktën një muaj në infermieri. Stili i lojës së tij e bën të pësojë ndërhyrje të ashpra. Shpeshherë preferon të simulojë dhe plot herë të tjera mbrojtësit nuk kanë mëshirë për të.
Babai i tij nuk ka duruar më dhe ka nxjerrë inatin e tij në një postim të bërë në rrjetet sociale. Ai është lodhur me trajtimin që i bëjnë sulmuesit të PSG dhe i sulmon të gjithë: mbrojtësit, arbitrat, mediat dhe në fund e mbyll me një kërcënim për kundërshtarët.
“Kundër Strasburgut ka pësuar katër faulle të njëpasnjëshëm, por djali im quhet simulues kur rrëzohet në tokë, ose kur tenton të mbrohet nga ndërhyrjet e ashpra. E ndjek prek vitesh dhe i kam kërkuar gjithmonë që të shmangë lëvizjet e dyshimta.”
“Arbitri duhet ta mbronte. Nuk po qahem si babai i tij, por jam lodhur nga sistemi socialist i futbollit, nga gazetat që përpiqen vetëm të shesin dhe nga ata që thonë që Nejmar e meriton një trajtim të tillë. Më vjen keq, por dua ti dërgoj në ferr gjithë këta persona… Im bir ka treguar gjithmonë forcën e tij dhe është gati të riniset. Përgatituni sepse do të rikthehet më i fortë se më parë.”