Mançester Junajtid mori një triumf me përmbysje ndaj Juventusit mbrëmjen e kaluar, duke treguar forcën e tyre, pasi bardhezinjtë shihen si një nga pretendentët kryesor për të arritur triumfin e Championsit. Përmbysja e “djajve të kuq” erdhi vetëm në fundin e ndeshjes, ku Huan Mata shënoi në minutën e 86-të, përpara se Bonuçi të shënonte në portën e tij dhe Junajtid të merrte triumfin.
Një ndër më të mirët e sfidës së mbrëmshme ishte dhe mbrojtësi anglez, Luk Shou. Mbrojtësi i majtë i Junajtid, duket i rilindur këtë sezon dhe ka dhuruar mjaft performanca të mira që nga nisja e kampionatit. Pas ndeshjes, 23-vjeçari u shfaq mjaft i lumtur për suksesin e arritur dhe njëkohësisht u shfaq mjaft i nervozuar me gazetarët dhe njerëzit që nuk besojnë te Junajtid.
“Ishte një fitore shumë speciale, sidomos kur përmbys një rezultat në fund. Ndihem shumë mirë. Të paktën një herë në jetë na thoni një fjalë të mirë. Shoh vetëm kritika sa herë bëhet fjalë për Mançester Junajtid. Mundëm Juventusin në shtëpi, të paktën mund të thoni diçka”, ka përfunduar mbrojtësi.