Kukësi po mendon për ndeshjen me Skënderbeun, ndërkohë që kjo javë ka pasur zhvillime të rëndësishme. Kështu, raportohet se në klubin verilindor janë shpërndarë pagat e fundit dhe ky është një motiv më shumë për lojtarët para sfidës me korçarët.
Gjithsesi ka edhe shqetësime. Sulmuesi Vasil Shkurtaj nuk ka mundur të stërvitet gjatë këtyre ditëve për shkak të një problemi me shtyllën kurrizore. Vlonjati në takimin me korçarët ka pak shanse të luajë. Edhe Valdet Rama nuk do të jetë nën urdhrat e trajnerit Ernest Gjoka.
Sulmuesi anësor së fundmi ka qenë në Gjermani dhe ka zhvilluar një vizitë tek ortopedi i Shalkes. Gjendja e tij duket e mirë dhe në finalen e Kupës ndaj Tiranës pritet në fushë. Ky është një lajm i mirë për stafin teknik, që tashmë mund t;i bëjë llogaritë edhe me Shametin. Gjirokastriti mori minuta në ndeshjen me Luftëtarin dhe tanimë mund të luajë edhe nga fillimi.
REXHINALDO – Sulmuesi nga Mozambiku është nën kontratë me Kukësin deri në fund të këtij muaji, por në kampin verilindor janë të vendosur ta mbajnë në skuadër. Sipas asaj që raporton Supersport, bisedimet për nënshkrimin e një marrëveshjeje kanë nisur.
Jo vetëm kaq, por thuhet se ka edhe një akord me menaxherin e sulmuesit. Gjithsesi pa u hedhur e zeza mbi të bardhë asgjë nuk mund të konsiderohet e mbyllur. Rexhinaldo këtë sezon me Kukësin ia ka dalë të shënojë 10 gola në kampionati.
Gjithashtu sulmuesi ka realizuar edhe katër herë në Kupë, në ndeshjet e rëndësishme në fazën çerekfinale dhe gjysmëfinale me Teutën dhe Skënderbeun. Për cilësitë e tij si futbollist nuk ka dyshime, por problem është karakteri i tij. Rexhinaldo është nga ana që nuk i pëlqen shumë t’i flasin, por në fushën e blertë jep gjithnjë maksimumin e tij.