Shkodra prezantohet nesër në Durrës, Dita më 9 qershor

Dy blerjet zyrtare të Skënderbeut, Donjet Shkodra dhe Bruno Dita, do të prezantohen në ditë të ndryshme me fanellën bardhekuqe. Të dy futbollistët kanë arritur akordin ditë më parë dhe mësohet se Donjet Shkodra, në ditën e parë të grumbullimit të bardhekuqve në “Tropikal”, pra nesër, do të bëjë prezantimin përpara ekipit dhe më pas do të dalë në stërvitje me Skënderbeun. Shkodra është një blerje mjaft cilësore në këtë fillim të merkatos dhe e vetmja gjë që e shqetëson Skënderbeun është forma e tij, por që pritet ta arrijë gjatë fazës përgatitore. Blerja e dytë, Bruno Dita, do të prezantohet dy ditë më vonë, më 9 qershor, kur ekipi të jetë në Slloveni. Dita për momentin ndodhet në Turqi, ku po pushon. Ai ka lajmëruar se nuk do të jetë nesër në Durrës, por do të mbërrijë dy ditë më vonë dhe do të bashkohet me skuadrën e re në Rogaska të Sllovenisë, ku do të zhvillohet faza përgatitore.

Xhejms merr leje deri më 12 qershor

Nesër Skënderbeu do të fillojë fazën përgatitore, së pari me një qëndrim 24-orësh në Durrës dhe më pas në Slloveni. Kureshtja e të gjithëve është se a do të jenë të gjithë futbollistët e Skënderbeut në ditën e parë të grumbullimit. Të larguar zyrtarisht janë Salihi, Predesku, Ogunxhimi dhe Fukui, ndërsa Shkodra dhe Dita janë dy blerjet e para. Sigurisht, ditën e parë pritet që Daja të ketë mungesa, pasi janë të huajt që shqetësojnë me mbërritjen e tyre. Burime pranë klubit kampion bëjnë me dije se Xhejms Adeni ka marrë leje për të pushuar disa ditë më shumë. Ai do të bashkohet me ekipin më 12 qershor, të hënën e ardhshme, dhe do të shkojë direkt në Slloveni. Presidenti Ardjan Takaj e ka mirëkuptuar sulmuesin nigerian dhe i ka dhënë leje për të qëndruar pak ditë më shumë pranë familjes së tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *