Dy dëshira të Partizanit kanë qenë Bruno Dita dhe sidomos Donjet Shkodra. Mesfushori i Flamurtarit është monitoruar me vëmendje nga ana e drejtuesve dhe stafit teknik të të kuqve. Futbollisti është tentuar që në janar dhe madje pjesëtarë të stafit drejtues të “demave” e cilësonin si një lëvizje të mbyllur afrimin e futbollistit me Partizanin. Kur e gjithë merkatoja e kryeqytetasve është e përqendruar jashtë kufijve dhe përtej Adriatikut, tashmë brenda vendit “demat” po shohin t’i humbin objektivat një e nga një. Skënderbeu ka zyrtarizuar Donjet Shkodrën, që ka pranuar se ka pasur bisedime me Partizanin, po ashtu Bruno Ditën, që ka pranuar gjithashtu për “Sport Ekspres” se ka qenë në dilemë për të ardhmen e tij, edhe për faktin se ka pasur kontakte me kryeqytetasit.
SHKODRA – Mesfushori ka mbyllur kapitullin me Flamurtarin dhe për shkak të problemeve të shpeshta nuk ka dashur të mbetet pjesë e vlonjatëve. Në kushte të tilla, ai ka studiuar ofertat më të mira dhe tratativat më serioze për të. Skënderbeu ka qenë më komunikues dhe më bindës për Shkodrën. Kjo ka ndikuar që të afrojë lojtarin me klubin korçar. Sipas mesfushorit, Partizani ka hezituar dhe të kuqtë nuk ishin të qartë në ofertën e tyre. “Skënderbeu m’i plotësoi të gjitha kushtet dhe kërkesat e mia. Partizani nuk më bëri një ofertë konkret. Prandaj zgjodha korçarët”, – tregon Shkodra.
DITA – Mbrojtësi zyrtarizoi largimin nga skuadra e Teutës. Menjëherë në garë për të u futën skuadrat kryesore të Superligës. Partizani dhe Skënderbeu nisën sprintin final dhe në fund janë përsëri korçarët që e fitojnë në finale. Dita ka preferuar të zgjedhë Korçën përpara Partizanit. “Zgjodha Skënderbeun sepse korçarët insistuan më shumë”, – shprehet Dita për “Sport Ekspres”.