Shkëmbi: Osmani mungesë e madhe, kujdes Luftëtarin! Titulli? Do shohim…

Teuta ka një transfertë të vështirë nesër në Gjirokastër. Ndeshja e parë atje ka qenë mjaft e dobët dhe durrsakët kurrsesi nuk do donin ta përsërisnin. Fitorja e fundit me Kukësin ka bërë që morali të jetë lart te futbollistët e Teutës, por trajneri Bledi Shkëmbi është i qartë kur thotë se me një fitore nuk kanë arritur asgjë.

“Vijmë nga një ndeshje shumë e mirë, pasi morëm një fitore duke përmbysur rezultatin ndaj një kundërshtari direkt. Gjithsesi kjo nuk do të thotë asgjë, pasi duhet të vazhdojmë të kemi vazhdimësi në lojë dhe në rezultate. Me një ndeshje nuk mund të themi që arritëm atë që kërkojmë”, deklaron trajneri korçar për Supersport.

Më tej ai vlerëson gjirokastritët e drejtuar nga Julian Ahmataj: “Një sfidë shumë e vështirë, Luftëtari është një ekip që të paktën në 3-4 ndeshjet e fundit ka treguar se është në një formë të mirë. Shikoj që kanë entuziazëm, me  trajnerin e ri shoh që është një skuadër më ndryshe. Luan më mirë dhe ka krijuar besim, ndaj kuptohet që do të jetë e vështirë”.

Kapiteni Tefik Osmani u ndëshkua me karton të kuq me Kukësin dhe nuk mund të luajë në sfidën e radhës me Luftëtarin: “Ndoshta është mungesa më e rëndësishme që mund të kemi. Osmani është shumë i rëndësishëm për ne jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj. Shpresojmë t’ia dalim, edhe sepse lojtarët që do e zëvendësojnë janë në një nivel shumë të mirë”.

“Latif-Bushiç? Do vijë momenti kur të luajnë të dy bashkë, por kam thënë se kryesorja është të vijnë në maksimumin e tyre. Ende nuk e kanë kapur formën më të mirë. Kur të jenë të dy në formën më të mirë, ndoshta edhe do të luajnë bashkë”, tha Shkëmbi, i pyetur nëse dyshja e sulmuesve mund të luajnë së bashku njëkohësisht.

Në fund, trajneri i Teutës u ngacmua edhe në lidhje me titullin kampion. Diferenca me Partizanin kryesues është vetëm 7 pikë. “Për të qenë i sinqertë, patjetër që në momentin që gabon Partizani shikojmë edhe lart. Kjo nuk diskutohet. Gjithsesi kryesorja është që sa më shpejt të bëjmë pikët për të siguruar kupat e Europës. Pastaj, nëse do të jemi pranë vendit të parë, patjetër që do të shikojmë se çfarë mund të bëjmë”, ka përfunduar Shkëmbi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online