Sot ne mbrëmje skuadra e Shënkollit ka shfrytëzuar momentet e fundit në merkaton e janarit, duke afruar tre futbollistë të rinj. Spikatin mesfushorët: ganezi Franci Olemba dhe Rubin Met’hasani, por edhe sulmuesi lezhjan Jurgen Kulli.
Për SportEkspres.com, trajneri i Shënkollit, Alket Kruja deklaron se tashmë skuadra është e kompletuar per te realizuar objektivat e gjysmës së dytë të Kampionatit. “Falënderoj presidentin Djala që mundësoi këtë merkato në limitet e fundit të saj. Sot janë bërë pjesë e skuadrës sonë dy mesfushorë: ganezi Franci dhe mesfushori Rubin Met’hasani, si dhe sumuesi Jurgen Kulli.
Janë përforcime cilësore që do ti shërbejnë synimit tonë për renditje në pesë skuadrat e para të Grupit A”, kështu deklaroi trajneri Kruja, i cili përforcime i quan edhe dy futbollistët e falur dje nga Komisioni i Disiplinës në FSHF.
“Unë i quaj përforcime edhe faljet futbollistëve të dënuar, portierin Rinëv Danaj dhe sulmuesin Ruben Danaj. Duke shtuar këtu edhe dy të afruarit në ditët e para të janarit, afrikanët Vitor dhe Idris, unë i quaj shtatë përforcime që Shënkollin do ta bëjnë pretendent serioz në Grupin A. Me Besëlidhjen të shtunën do luajmë vetëm për fitore”.
Teë shtunën në 2 shkurt, Shënkolli pret në fushën e tij Besëlidhjen, një “derbi” i Prefekturës që tekniku Kruja e quan edhe hapin e parë drejt suksesit të sezonit. Shënkolli renditet në vendin e 7-të në Grupin A me 17 pikë, ndërsa Besëlidhja mban vendin e 5-të me 20 pikë.
AGRON KAJA