Shehi, një takim me historinë: Dua ta mbyll me rekord europian!

Kapiteni i Skënderbeut: Duam kualifikimin, pasi asnjë klub shqiptar nuk ka kaluar 4 ture. Dua ta mbyll karrierën me këtë kënaqësi të jashtëzakonshme. Arritja ime më e madhe, vlerësimi që më bëhet

Blerim Jahaj

Ishte sërish lideri i zakonshëm i Skënderbeut, vendimtar në shumë raste, aq sa tashmë është e tepërt të thuhet që me rendimentin që po tregon, nuk duket si një futbollist në fundin e karrierës. Orges Shehi vazhdon të mahnitë, ashtu si Skënderbeu, që po shkruan historinë. Një barazim 1-1 në Zagreb, që duhej të ishte fitore, duke parë si shkoi ndeshja, golin e pësuar në minutën e 94-t, që duhej anuluar për pozicion jashtë loje, pa harruar edhe golin që iu anulua Skënderbeut nga i njëjti anësor në fillim të ndeshjes. “Nivel kaq i lartë dhe të bëhen gabime të tilla, është për të ardhur keq, sepse ndryshojnë totalisht ndeshjet”, thotë me keqardhje Shehi, i cili gjithsesi tani e thotë me bindje që ky Skënderbe nuk ka frikë askënd, as gjykimet kundër. Një trajner në fushë, Shehi, i cili bën krahasimin me të shkuarën dhe me një batutë tregon si ka ndryshuar më në fund mentaliteti tipik shqiptar: “Më përpara, gjithë skuadrat shqiptare luteshin kur do mbarojë ndeshja, ndërsa ne tani duam të luajmë, sa më shumë, nuk shohim fare orën. Ky është ndryshimi i mentalitetit që ka nevojë gjithë futbolli shqiptar”.

….

– Përshëndetje Orges. Kthim i lodhshëm, por me rezultat të shkëlqyer në Zagreb. Të mërzitur apo të kënaqur, duke parë si shkoi ndeshja?

– Në fakt, u lodhëm pak. Udhëtuam nga Zagrebi për në Shkup, ndërsa më pas në Shqipëri. Faktikisht, u mërzitëm pak. Kur ndëshkohesh në fund, duke qenë aq pranë fitores, të duket sikur të bie tavani mbi kokë, sikur të ikën diçka që e kishe. Po ta marrësh si rezultat në kompleks, është i famshëm, sepse para ndeshjes rezultati 1-1 na kënaqte plotësisht. Na vjen keq, por i tillë është futbolli, mund të pësonim edhe më herët.

– Goli i pësuar, pak si tepër konfuzion në mbrojtje. Në pjesën e dytë u vu re një tërheqje e madhe në mbrojtje dhe pati situata të rrezikshme.

– Po, ishin momente paniku aty në fund. Pati një rreshtim të gabuar dhe në përgjithësi në shtesë po vuanim, sepse edhe Dinamo ishte spostuar tërësisht në zonën tonë, duke hedhur topa sa të mundej. Menduam se ia dolëm, por aty u ndëshkuam.

– Pesë minuta shtesë, shumë, sipas presidentit Takaj.

– Nuk i kushtova rëndësi shtesës, në fakt. Thjesht menduam se kishte mbaruar shtesa. Morëm edhe një goditje këndi, që ndoshta duhej administruar më mirë, duhej të fitonim më shumë kohë. Pastaj, te momenti i golit, kërceva dhe u përplasa me një kundërshtar, e preka topin dhe rashë në tokë. Po prisja a e largoi topin Jashanica, ndërsa më pas pamë nga arbitri dhe ai dha gol. Aty sikur të errësohet gjithçka.

– Meqë jemi tek arbitri, pati episode të rëndësishme kundër Skënderbeut. Edhe goli i pësuar në fund mund të anulohej për pozicion jashtë loje.

– Po, pas ndeshjes i pamë të gjitha. Goli i Latifit ishte i rregullt në fillim të ndeshjes, kishte pozicion jashtë loje në fillim të aksionit të golit kroat. Për të ardhur keq, ishte i njëjti anësor. Janë episode që vendosin shumë në një ndeshje. Në ato nivele, në play-off në Europa League, janë gabime të tepruara, sepse janë përcaktuese për kualifikimin, janë nivele që vendosen nga episode të caktuara. Edhe vetë media në Kroaci evidentonte gabimet e arbitrimit.

– Dinamo dukej në superformë para ndeshjes kundër Skënderbeut. Kishte mundur bindshëm Hajdukun e Rijekën. Si iu duk, duke e krahasuar me vitin 2015?

– Unë e kam thënë edhe para ndeshjes dhe i qëndroj asaj që kam thënë: kjo Dinamo është më e dobët se ajo e para dy viteve. Skuadra e para dy viteve kishte lojtarë shumë të mirë, thuajse të gjithë janë larguar. Nuk është më Pjaca, nuk është më portieri Eduardo, një mbrojtës portugez (Ivo Pinto), mungonte edhe një mesfushor i mirë, Mashado, por edhe Rog, lojtar i kombëtares kroate. Nuk ishte as Sudani, sulmues i rëndësishëm, për dëmtim. Ka qenë një skuadër më e fortë.

– Sudani mungoi dhe u cilësua si një mungesë e rëndësishme, thuajse vendimtare. Duke qenë se u ka shënuar 3 gola para dy vitesh, ishte një avantazh i madh mungesa e tij?

– Sudani është sulmues cilësor, natyrisht që mungesa e tij na avantazhi. E takova para ndeshjes, erdhi më takoi, kemi ruajtur marrëdhënie respekti reciprok, pas përballjeve të para dy viteve. Mendoj se na ndihmoi mungesa e tij.

– Dinamo shpreson shumë te kthimi i tij të enjten e ardhshme.

– Le të riaftësohet, nuk kemi ç’ti bëjmë. Tani e kemi gjithçka në dorën tonë, luajmë në shtëpi, do të bazohemi te forcat. Do të jetë tjetër histori, grupi është gjithnjë e më i bindur në forcën e vet, stadiumi do jetë plot, tifozët do na përkrahin.

– Debutoi Soue, pasardhësi i Salihit, i cili shënoi dy gola edhe sot.

– Soue është sulmues i mirë, lojtar cilësor, do të përmirësohet edhe më shumë, se është shumë i ri dhe sapo ka ardhur. Salihin e urova për golat e shënuar. Faktikisht, në ndeshjet e Europa League këtë verë nuk kemi vuajtur për të shënuar, kemi shënuar në çdo ndeshje. Kam besim te të gjithë sulmuesit tanë, Plaku e Xhejms janë shumë të mirë, Soue është një përforcim cilësor, Latifi është në superformë dhe lojtarë të tillë na ndihmojnë shumë.

– Grupet në horizont, nëse gjithçka shkon mbarë. Kjo do të thotë që nuk e lë dot futbollin, e ke thënë vetë.

– Po, kam thënë që do ta lë futbollin pas kupave të Europës. Gjithsesi, pak rëndësi ka e ardhmja ime, rëndësi ka të kalojmë në grupe, sepse është një kënaqësi e madhe. Kemi qenë para dy vitesh, por tani rruga është më e gjatë dhe të jep më shumë kënaqësi. Para dy vitesh, falë formulës, kaluam me dy ture, sepse ishim në Champions League, ndërsa tani, nëse kapim grupet, kalojmë 4 skuadra. Kjo është historike. Edhe klubi e kërkon kualifikimin në grupe pikërisht për këtë kënaqësi të rrallë, jo thjesht për përfitimet financiare. Javë për javë ndeshje, kaluam Kairatin, Mladën, tani shpresojmë t’ia dalim edhe ndaj Dinamos, do ishte fantastike.

– Me këtë ecuri, i keni bërë nder gjithë futbollit shqiptar.

– Është detyrim, jo vetëm i yni, por për çdo klub. Në Europë duhet të japim maksimumin dhe të bëjmë tifozllëk për të gjitha klubet shqiptare. Ne kemi bërë shumë tifozllëk për Kukësin. Mendoj se çdo skuadër duhet të shkojë sa më larg në Europë dhe nuk jemi armiq aty, kushdo qoftë klubi. Çdo tur i kaluar nga ekipet tona i bën mirë futbollit tonë, edhe në këto nivele që kemi shkuar ne, e gjithë Shqipëria besoj se ka bërë tifo për ne.

– Skënderbeu aktual, është më i fortë në fushë, apo në mentalitet?

– Skuadra është bërë shumë kompakte, më e fortë dhe me shumë besim në vetvete. Çdo vit që kalon, eksperienca shtohet dhe tashmë ndjenja e inferioritet është larguar. Tani skuadra hyn pa frikë në fushë, nuk shqetësohet nga emri i rivalit. Kairat Almati dukej i frikshëm, por luajtëm shumë mirë në të dyja ndeshjet. Tani humbje ka, nëse rivali të mund, jepi dorën, por mendoj se më problem është ndjenja e inferioritetit. Ajo të mbyt dhe mendoj se ky është plusi i madh i Skënderbeut.

– Meqë përmendët më parë Kukësin, Sherifi a ishte një rival i kalueshëm për ju?

– Mendoj se po, do ta kishim kaluar. Ata kanë ecur mirë, në fakt, barazuar në Varshavë me Legian, por në turin e shkuar me Karabakun u mund në shtëpi pas barazimit jashtë. Edhe me Legian vështirë do ta kenë në shtëpi.

– Stadiumi do të jetë plot javën e ardhshme, por nuk është e njëjta gjë me Korçën, apo jo?

– Ajo nuk diskutohet, është tjetër gjë të luash në Korçë. Edhe pas ndeshjes me Mladën, kur u takuam me ish-trajnerin tonë Stanislav Levin dhe me një drejtues të Mladës, ky i fundit na tha që ishte shans për Mladën që nuk do të luhej në Korçë. Ata kishin dërguar ndihmëstrajnerin në Korçë për ndeshjen me Kairatin dhe ishin habitur nga atmosfera. I thashë që edhe në Elbasan do të bëhej atmosferë super dhe ashtu ndodhi. U bë edhe ndeshje emocionuese, nga mënyra si shkoi. Besoj se me Dinamon do të jetë stadiumi plot.

Tani i bie të të urojmë  që të mos e lësh më futbollin.

– Ah, në këto nivele futbolli, kur krijon edhe këtë eksperiencë, dëshiron që të mos mbarojë më ndeshja. Më përpara, kur ndiheshim inferiorë ndaj çdo rivali, prisnim me padurim kur do mbyllej ndeshja, ndërsa tani duam që të vazhdojë loja sa më gjatë. Ambient fantastik, luhet futboll evropian, janë të gjitha fantastike. Tani të shpresojmë, të shohim.

– Nëse kaloni, u bëni nder të gjithëve.

– Nëse kalojmë, është një plus i madh për të gjithë, për klubin, për imazhin e tij dhe të futbollit shqiptar. Sa për mua, unë ndihem shumë i vlerësuar, klubi më kërkon të qëndroj, ambienti më kërkon të qëndroj. Është vlerësim i madh. Kam marrëdhënie ndryshe me klubin, jam si i shtëpisë në Korçë. Megjithatë, nuk ka pse të përqendrohemi te tërheqja ime, kemi gjëra shumë më të rëndësishme në mendje. Menjëherë do të zbresim në stërvitje, jemi me mendjen vetëm te ndeshja.

– Latifi largohet pas Dinamos. Humbje e madhe.

– Thuajse është mbyllur si transferim, besoj se ka përfunduar, sepse edhe klubi që e kërkon ka këmbëngulur dhe i ka lënë një pjesë të kartonit Skënderbeut. Është diçka shumë e mirë që Latifi lëviz dhe është shitur, sepse më në fund lojtarët po shiten, klubi po funksionon si në gjithë botën. Iku koha e transferimeve falas, me kontrata një-vjeçare dhe marrëveshje miqsh kur bëhej fjalë për të lëvizur.

– A të vjen pak inat që nuk je të paktën 10 vite më i ri?

– Tani, unë i kam marrë gjithçka futbollit. Kam përjetuar emocione të mëdha, Skënderbeu më ka dhënë mundësi të luaj në nivele shumë të larta. Mundësia m’u dha, kam mundur ta ruaj vendin, kam luajtur edhe me kombëtaren, shkova edhe në Europian, ndaj ndihem i realizuar, nuk mendoj për përfitimet financiare që do të kisha po të isha i ri. Arritja më e madhe për mua është vlerësimi që më bëhet, jam thuajse 40 vjeç dhe të gjithë më thonë të qëndroj, kudo i kam dyert të hapura dhe kjo është arritje, sepse lojtarë të tjerë sapo kalojnë të tridhjetat i pyesin se kur do ikin. Kjo për mua është arritja më e madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online