Orges Shehi i gëzohet pikëve të radhës. Tekniku durrsak i Skënderbeut foli për “Supersport”, në “Gol pas Goli”, duke komentuar dhe zgjedhjet e tij, ku theksoi se kishte lënë dy futbollistë pushim për të ruajtur energjitë, kjo për faktin se ndeshja e radhës është në mesjavë.
KASTRIOTI – “Ishte një ndeshje e vështirë, pasi vinim pas një fitore me një rival direkt. Kur luan me një kundërshtar që është në fund të tabelës, duket e lehtë në letër, por ndeshjet bëhen mjaft të vështira. Lamë dy lojtarë pushim. Jam i kënaqur me ato dy lojtarë që i zëvendësuan sot”.
VUAJTJA – “Ndoshta më mirë do ishte ta mbyllnim ndeshjen, por i tillë është futbolli. Kishim dy raste, por nuk i realizuam. Ndonjëherë dhe duhet të vuash”.
ROTACIONI – “Menduam që dy lojtarë, të cilët kanë shumë ndeshje t’i linim pushim, duke parë dhe lojtarët që ishin në fushë, sidomos të Kabas. Guexh ndërton më shumë dhe në shtëpi na duhet të ndërtojmë më shumë. Edhe se ruajmë energjitë për ndeshjet e tjera nuk është keq”.
SKEMA – “Jemi në një fazë ku janë të rëndësishme pikët. Kemi shumë lojtarë që luajnë në krah dhe 4-3-3 është e përshtatshme për ne dhe ka rezultuar efikase. Me Oto Xhon na del më shumë për mirë, pasi kundërshtari rri më lart dhe ai është lojtar thellësie. Në të ardhmen mund të luajnë bashkë, Oto Xhon dhe Krasniqi”.
GOLI – “Na bëhet qejfi që Muzaka e zgjidhi ndeshjen. Në të shkuarën kanë shënuar dhe të tjerët dhe më pëlqen kjo shpërndarje. Në të ardhmen uroj që ta zgjidhë ndeshjen ndonjë lojtar tjetër, përveç Muzakës”.
KRASNIQI – “Skuadra mund t’i rrijë më afër Krasniqit, por disa lëvizje duhet t’i tentojë vetë. Ndoshta nuk po i bën dhe duhet të kërkojë më shumë te vetja. Nëse bën ato që i them unë, do të arrijë dhe te goli”.