Shehi: Ja çfarë i thashë skuadrës në pushim, donim të ndalej Partizani

Skënderbeu reagoi pas asaj humbje ndaj Laçit. Trajneri Orges Shehi komentoi suksesin ndaj vlonjatëve, teksa në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport” u shpreh: “Ishte një ndeshje ndryshe, përveç minutave të para kur po gabonim në pasa dhe po rrezikoheshim nga topi i gjatë. Më pas ishte ndeshje e mirë dhe them se është një paraqitje për atë ndeshje jo të mirë që zhvilluam në mesjavë”.

“Flamurtari po na rrezikonte me topat tonë. Më pas, skuadra kuptoi se nuk duhet të hynte në presion dhe të mos mbante topin kur ishim me shpinë pas porte. Në pjesën e dytë e rregulluam këtë gjë”.

“Bregu luajti me injeksion sot dhe duke ditur rëndësinë që ka për ne e donim në fushë, bëri sakrificë dhe na shpërbleu besimin dhe këmbëngulin duke shënuar. Nuk është frakturë, por ka marrë një goditje në gishtin e madh të këmbës së djathtë. I ka mbledhur gishti dhe ka pasur dhimbje, por me ndërhyrjen e mjekëve ishte në fushë sot”.

“Në pushim kërkova nga skuadra të kishim qetësi, pasi nuk kishim pse të kishim presion. Të luanim siç dinë edhe pse na duhej rezultati me patjetër. Në pjesën e dytë u përmirësuam shumë”.

“Gripshi për nga pozicioni e ka më të vështirë kur luan nga e djathta. Ai duhet të kërkonte fundoren, por është i ri dhe i duhet besim”.

“Pas ndeshjes secili pyet për kundërshtarin. Ne donim që të ndalonte Partizani, por kur bën punën tënde mirë do pyesësh për të tjerët. Kampionati është i gjatë. Mund të fitosh me të gjithë dhe mund të humbasësh me të gjithë. Ne duhet të bëjmë punën tonë mirë dhe kundërshtari të ndalet”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *