Shehi i jep kurajo Skënderbeut: Iku muaji i mallkuar, rikthehemi protagonistë

Në dy fazat e para të Kategorisë Superiore, Skënderbeu është skuadra që tregoi luhatje të mëdha, kryesisht në katër javët e fundit që pësoi humbje. Për SportEkspres.com, trajneri i korçarëve Orges Shehi, këtë e quan si një situatë që i përket një muaji të mallkuar, që ai mendon se skuadra e tij e ka kaluar.

Durrsaku e ka nisur karrierën si futbollist me Teutën në vitin 1994, ku luajti 10 sezone, për të vazhduar më pas me Bylisin, Vllazninë, Partizanin e Besën, ndërkohë që në sezonet 2010-2018 ka mbrojtur portën e Skënderbeut. Në pankinë kjo është përvoja e parë për Shehin, i cili e nisi me një skuadër kampione.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

Në dy fazat e para të Superiores, Skënderbeu u rendit në vendin e 5-të, ishte kjo skuadra më e mirë në 18 javë?
-Në mesin e fazës së dytë Skënderbeu ishte në kreun e renditjes, por në 3-4 ndeshjet e fundit fati nuk ka qenë me ne. Jo vetëm rezultatet, por edhe te dëmtimet e disa futbollistëve titullarë kanë qenë kryesore për renditjen aktuale në dy fazat e para.

Në këtë situatë te Skënderbeu, kanë patur ndikim financat dhe pritshmëria e dënimit nga FIFA?
-Skënderbeu nuk ka patur asnjëherë probleme me financat. Dëmtimet, fati dhe aspekti psikologjik kanë ndikuar në këtë situatë, por muaji i mallkuar i Skënderbeut tashmë ka kaluar. Skuadra do të rikthehet në fazën e tretë protagoniste si më parë.

Kjo ka qenë arsyeja që ju dhatë dorëheqjen nga skuadra disa javë më parë?
-Pas ndeshjes me Luftëtarin mendova se trajneri duhet të marrë i pari përgjegjësitë, për të kuptuar edhe skuadra përgjegjësitë e saj. Ndaj mendova se mos duhej një emër i ri që ta vazhdonte më mirë rrugën e këtij sezoni. Por gjeta mirëkuptimin e plotë me presidentin.

Si ka qenë reagimi i skuadrës për këtë situatë që ka kaluar kryesisht në katër javët e fundit të fazës së dytë?
-Mendoj se skuadra duhet të ishte më e përqendruar në katër ndeshjet e fundit të fazës së dytë dhe duhet të kishte marrë më shumë pikë. Në këto ndeshje më shumë jemi ndëshkuar nga episode për gabime njerëzore, prandaj edhe renditja jonë erdhi në zbritje.

Po mbështetja e presidenti, Takaj, si ka qenë në këtë situatë që kaloi Skënderbeu?
-Mbështetja nga presidenti ka qenë e plotë në të gjithë treguesit dhe ai mbetet figurë e nderuar në krye të Skënderbeut. Por duhet kuptuar se ndryshimet që janë bërë te skuadra e këtij sezoni, kërkojnë kohën e duhur që të harmonizohen mirë vlerat e lojtarëve në fushë.

Ku do t’i përqendroni përgatitjet tuaj me skuadrën në periudhën përgatitore deri më 20 janar që nis faza e tretë?
-Skënderbeu do ta zhvillojë fazën përgatitore dimërore në resortin “Tropikal”në Durrës. Vetë koha e shkurtër deri në nisjen e fazës së tretë na detyron që të përqendrohemi më shumë në eliminimin e mangësive në dy fazat e para dhe në harmonizimin e skuadrës.

Do të ketë zhvillime te merkato e Skënderbeut në këtë periudhë?
-Ne jemi në kontakte me disa lojtarë këtu në Kategorinë Superiore, njëherësh kemi biseduar edhe me dy futbollistë afrikanë. Kjo periudhë është e vështirë për një merkato cilësore dhe nuk të jep shumë mundësi që të gjesh lojtarë që dukshëm bëjnë diferencën.

Për objektivin e këtij sezoni, do të ndryshojë kurs Skënderbeu, apo vazhdon në kërkim të kreut?
-Në radhë të parë do të vazhdojmë punën përgatitore dhe në plotësimin e grupit me lojtarë të tjerë. Një renditje më e mirë mbetet synimi ynë kryesor. Pse jo, edhe të marrim kreun e renditjes. Diferenca me vendin e parë nuk është e madhe dhe e pamundur për t’u arritur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *