Shehi: Humbje për të ardhur keq, kemi shumë probleme në sulm

Trajneri i Skënderbeut, Orges Shehi u shpreh i zhgënjyer me atë që dhanë të tijtë në fushën e lojës. Për mikrofonat e Supersport, numri një i stolit të korçarëve analizoi ndeshjen, foli për situatën e sulmuesve dhe largimin e Radash:

NDESHJA – “Vazhdojmë përsërisim të njëjtat gjëra dhe na vjen keq. Të marrësh një gol në atë mënyrë nuk e kuptoj dot. Është një humbje që do të na dëmtojë shumë dhe na ka prishur shumë punë. Taktikisht, ishim shumë mirë të vendosur, por nuk shënuam dot. Nuk e kuptoj si mund të pësosh atë gol”.

GRUPI – “Ne jemi skuadër që nuk kemi kontigjent të plotë. Ato lojtarë që kemi me eksperiencë aq janë. Na munguan Radash, Sibo, Abazi dhe u detyruam të bëjmë një skuadër me shumë arnime, pasi nuk kishim kondicionin e duhur”.

RADASH – “Marko ndodhet në Kroaci që pas ndeshjes kundër Kukësit, pasi është me leje të presidencës. Është pranë familjes dhe nuk ka ardhur fare në stërvitje. Ka arsye familjare dhe ka biseduar me drejtuesit për të qëndruar disa ditë më shumë. Sibo u dëmtua në momentin e fundit dhe kemi shumë vështirësi pa këta lojtarë”.

GOLI I PËSUAR – “Nuk më dhëmb goli nga minuta kur e pësuam, por nga mënyra. Siç e thashë dhe pak më parë, të pësosh një gol nga diagonale e gjatë, është për të ardhur shumë keq”.

SULMUESIT – “Oto Xhon nuk arriti të jetë i rrezikshëm gjatë gjithë takimit. Të njëjtat probleme ka dhe Krasniqi. Kanë shumë pak gola, sepse punojnë shumë gjatë gjithë lojës dhe kur dalin para porte, nuk janë të saktë. Nuk doli ashtu siç e kishim përgatitur këtë ndeshje” përfundoi Shehi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *