Skënderbeu prishi planet e Kukësit, duke mundur verilindorët në Korçë. Trajneri i kampionëve në fuqi, Orges Shehi, foli pas ndeshjes në emisionin “Gol pas Goli” në “Supersport”, ku analizoi fitoren e sotme dhe bëri një batutë në lidhje me ish-skuadrën e tij Partizanin.
STRATEGJIA – “Kemi punuar gjatë dy javëve me idenë që 15 minutat e para, të ishim shumë agresivë, duke e vënë kundërshtarin në vështirësi. Me pak fat, ia dolëm që të shënonim shumë shpejt. Kjo ishte strategjia jonë”.
PERVAN DHE SIBO – “Unë e kam thënë që kur kanë ardhur në skuadër që ata kanë cilësi. Kemi probleme me të huajt dhe bëj ndërrime të detyruara. Nga dita në ditë, lojtarët e ardhur po rriten dhe po shkrihen me pjesën tjetër të skuadrës”.
PËLLUMBI – “Ne e filluam ndeshjen me atë skemë, më duhej të luaja me dy qendërmbrojtës. Për shkak të eksperiencës dhe situatës që po kalonte skuadra, pasi po mungonin rezultatet. Donim patjetër pikët dhe Pëllumbi u ul në stol. Pervan kaloi në të majtë të sulmit, pasi duhet të bllokonim krahët. Nuk po funksiononte, prandaj bëmë ndërrimin. Kur Bregu të rikthehet, do të jemi më të konsoliduar. Ai rezultat në Durrës na dha shtysë, na dha besim. Më vjen mirë që ajo grintë kundër Teutës u tregua dhe sot”.
KAS – “Është normale, sepse po i afrohemi fundit të kampionatit. Duke ditur se na ndan vetëm një muaj nga seanca dëgjimore, optimizmi po rritet. Periudha e pauzës: Kur do bëhet, kur s’do bëhet ka ndikuar. Ne do të bëjmë maksimumim të arrijmë në zonën europiane, më pas presim vendimin”.
ASIST PARTIZANIT – “Dikur na thoshin ‘luani vetëm kundër Partizanit’, tani na thoni ‘i kemi bërë nder Partizanit’. Ne kemi vetëm objektivat tona. Kur fitonim vetëm para Partizanit, thoshin që ne u prishim punë vetëm atyre. Ne kemi bërë punën tonë, pastaj normalisht që ky rezultat ndikon te titulli kampion”.
ECURIA – “Është e drejtë, kemi marrë rezultate të mira në dy ndeshjet e fundit dhe kjo gjë na jep vazhdimësi. Jemi skuadër për kreun dhe që jemi mësuar me trofe. Rezultatet e këtij sezoni na kanë larguar disi tifozët, por neve na duhej vetëm një shtysë që të rikthehemi sërish aty ku na takon”.
KARTONI I KUQ – “Me Abazin do të merrem ditën e martë, kur të kemi stërvitje, pasi kjo është vazhdimësi dhe nuk duhet të jetë kështu. Është një ndërhyrje shumë e ashpër dhe Abazi ka faj. Gjithsesi, ai është një djalë shumë i mirë dhe korrekt, nuk e ka bërë me qëllim”, tha Shehi.