Hektor Idrizaj dhe Bruno Telushi janë shumë pranë fitimit të titullit kampion me Partizanin. Të kuqtë janë të shkëputur 12 pikë nga Kukësi i vendit të dytë, ndërkohë që së bashku e kanë provuar në të shkuarën shijen e titullit me Flamurtarin.
Ka ndodhur në vitin 2008, kur vlonjatët me ekipin e 19-vjeçarë kanë fituar titullin kampion në kampionatin e të rinjve. Idrizaj, atëherë kapiten i Flamurtarit, e kujton përmes një fotoje të postuar në “Instagram”. Telushi e ka shpërndarë gjithashtu, ndërkohë që mbrojtësi ngacmon: “U19 kampion 2008. Historia përsëritet, por jo modeli i flokëve”.
Ylli Shameti është një tjetër lojtar që është bërë nostalgjik. Gjirokastriti në të shkuarën ka qenë pjesë e Kastriotit dhe ka postuar një foto me krutanët, ku shfaqet ai dhe disa prej lojtarëve qerosë. Kapiteni i Kukësit me shaka shkruan: “Shkëputur nga filmi ‘Lulëkuqe mbi mure’, 10 vite më parë”.