Ylli Shameti kërkon vlerësim maksimal për Kastriotin, kundërshtarin e radhës të Kukësit. Ai ka folur edhe faktin që verilindorët këtë sezon po luajnë jashtë fushës së tyre, por edhe për ecurinë e mirë të javëve të fundit. Skema me tre mbrojtës ka qenë në fokus, sikurse edhe afrimet e Vasil Shkurtaj dhe Eduart Rrocës.
MOTIVIMI – “Duhet të futemi me idenë për të fituar. Kastrioti ka bërë lojëra të mirë, edhe pse nuk ka fituar. Nuk duhet të shohim më larg se ndeshja e fazës së parë, që patëm vështirësi në fushën e tyre. Duhet të jemi tepër të mobilizuar, pasi të luash kundër Partizanit dhe Skënderbeut mobilizohesh vetë. Më këto ekipet e fundit duhet mobilizim edhe më tepër. Duhet përkushtim në fushë që të marrim tre pikët, që të jetë vazhdimësi e rezultateve të fundit. Kemi gabuar më parë dhe duhet të marrim pikët maksimale. Kjo do bënte që vazhdimësia do të ishte me moralin e duhur”.
LUAJTJA JASHTË FUSHE – “Jemi mësuar që në Kukësi të kishim mbështetje të madhe nga tifozët dhe ekipet e tjera e ndjenin se po shkonin në Kukës. Tani mësuar në njëfarë mënyre nga halli. Kjo nuk duhet të jetë diçka negative, apo pengesë për t’i parë gjërat ashtu si duhet dhe për t’i marrë maksimumin ndeshjeve që bëjmë”.
SKEMA ME TRE NË MBROJTJE – “Mendoj se edhe më parë kemi luajtur mirë, edhe me 4 mbrojtës apo pesë. Nuk ka rëndësi sistemi, por përkushtimi i të gjithëve në fazën mbrojtëse. Në këto ndeshjet e fundit ekipi ka funksionuar në sulm dhe në mbrojtje, jo vetëm një repart i veçuar. Të gjithë duhet të japin maksimumin në çdo repart”.
RROCA DHE SHKURTAJ – “Për momentin kemi këto lojtarë. Nëse do të vijnë, mirë se të vijnë. Ata janë lojtarë të mirë. Nëse japin maksimumin që të arrihen objektivat e Kukësit, mirë se të vijnë. Nuk ka ndikuar aspak në ekip, secili ka vendin e vet. Futbolli nuk është me vetëm 11 lojtarë, janë më shumë se 18 lojtarë. Secili të japë maksimumin dhe më pas vendos stafi teknik se kush luan”.