Javën e ardhshme më 9 korrik Feronikeli do të udhëtojë drejt Anglisë për t’u ndeshur me kampionët e Uellsit “The New Saints” (shenjtorët e rinj). Skuadra njihet më së shumti me inicialet “TNS” dhe i zhvillon ndeshjet ne qytezën e “Ozuestri”, një vendbanim që ndodhet në territor anglez, por pranë kufirit me Uellsin.
Në pamje të parë të krijohet përshtypja e një ekipi gjysmë-profesionist. Stadiumi i tyre ka vetëm 2 tribuna të vogla me kapacitet total prej 2000 vendesh, por në Uells TNS është një ekip që ka rrafshuar prej vitesh konkurrencën.
TNS ka fituar tetë herë rresht kampionatin uellsian dhe në vetëm një sezon ka pasur luftë deri në javët e fundit për titullin kampion. Buxheti vjetor i klubit është 3 milionë paundë, shumë kjo 3-fish më e madhe se buxheti i kampionëve të Kosovës. Megjithëse në Kupat Europiane nuk kanë arritur të korrin sukses “TNS” ka bërë disa paraqitje dinjitoze. Vitin e kaluar mundën Shkëndijën 4 – 0, por humbja 5 – 0 në Shkup u solli eliminimin.