“Sfida e kuqe, titulli dhe filozofia”, rrëfimi i Skënder Gegës

Nga sfida te Partizani, te projekti i së ardhmes në klubin e kuq, filozofia, talentët dhe puna për të ardhmen. I ftuar në programin “Zona Gol” në “SuperSport”, trajneri Skënder Gega ka rrëfyer punën e shkëlqyer të bërë gjatë këtyre muajve në krye të stolit të kryesuesve.

Sfida e kuqe – “Prej 20 vitesh jetoj në Amerikë, por gjithmonë kam qenë aktiv në futboll. Tashmë që fëmijët janë rritur, më shtynë që të jepja kontribut te klubi ku jam rritur. Për mua, kjo është një sfidë personale. Nuk e kisha ndjekur skuadrën, por vetëm ish-ët që kanë qenë pranë skuadrës dhe u ktheva”.

Presion për trofe – “Në rrethin e ngushtë nuk është bërë asnjë bisedë, duhet ky apo ai trofe. Kemi krijuar një bazë të ekipit, me lojtarë të talentuar dhe të rinj, në mënyrë që të ardhmja të jetë e sigurt. Por, tani që kemi patur rezultate të gjithë shpresojnë edhe u lind dëshira, të bëjnë atë hapin shumë të madh”.

Lojtarët e rinj – “Me dy-tre veta në klub jemi të lidhur ngushtë, një prej tyre është drejtori i përgjithshëm. Teknikisht kam patur të gjithë hapësirën për të bërë përzgjedhjet. Përpara startit të kampionatit nuk i kisha mundësitë, sepse një pjesë e lojtarëve i kishin nënshkruar kontratat dhe nuk doja të rëndoja arkat e klubit. Më pas nisi ai kalimi në sitë i lojtarëve dhe i’u lanë më tepër hapësira të rinjve. Po krijohet një grup me futbollistë të mirë dhe të edukuar, të cilët në pak vite do të jenë asetet e Partizanit”.

Disiplina – “Duhet të ecësh me një projekt, të cilin e ke studiuar, por edhe bazuar në eksperiencën që ke. Nëse mbjell me fara të mira, nuk do të kesh shumë firo. Asanin, Malën dhe Bardhin i kam gjetur aty, për mua është e rëndësishme që këta lojtarë të rinj, të gjejnë gjuhën e përbashkët me trajnerin, për filozofinë dhe për mënyrën e lojës.

Yjet e ekipit – Asani është përmirësuar shumë edhe në anën mbrojtëse, përveç asaj sulmuese. Bardhit i kishte humbur besimi, nuk besonte se mund të ecte përpara. I kam dhënë një farë hapësire dhe lirie, që të mos ketë frikë nga gabimet. Edhe nëse ndonjëherë nuk do të kenë performancën e duhur, kjo nuk ka problem, sepse do të përmirësohen.

Gara për titullin – “Për titullin, mund të them se nuk del kampion vetëm me tre veta, sepse duhen më tepër lojtarë. Aq më tepër, që janë edhe kundërshtarët, të cilët kanë lojtarë cilësorë. Në verë, koha për të ndërtuar ekipin ishte e shkurtër, disa lojtarë kishin kërkesat e tyre. Qershori është muaji vendimtar në krijimin e skuadrës. Pas angazhimit me Mariborin në Kupat e Europës, larguam disa lojtarë në moshë. Nuk kishte kuptim që ata të qëndronin në stol dhe të përfitonin shifra të mëdha. Tashmë kostot janë ulur dhe me këta lojtarë të rinj është kthyer shpresa”.

Fitorja në derbi – “Presidenti nuk tha asgjë për ndeshjen. Para derbit vetëm pyeti nëse ishte gjithçka në rregull. Drejtori Rama edhe kur vjen në mbledhje nuk thotë asnjë fjalë, sepse do që të flasin çunat dhe kështu ndodhi pas humbjes në Vlorë. Ardian Mema humbi derbin? Ai u emërua në momentin më të vështirë te Tirana. Ka ndërmarrë një risk, por e ka bërë prej dashurisë, sepse dinastia Mema njihet për kontributin te ky klub”.

Filozofia – “Loro Boriçi i madh ka thënë të hyjmë në fushë si punëtorë dhe të dalim si profesorë. Kundërshtari më i vështirë ka qenë Kastrioti në Fushë-Krujë, sepse lojtarët e nënvlerësuan. Kryesonim 2-0, pësuam një gol dhe e vendosëm në dyshim fitoren”.

Festa pas derbit – “U la porosia që mos të teprohej në festë, ose nëse dikush kishte pirë ndonjë gotë më shumë të shkonte në shtëpi me taksi. Albani është një djalë i mirë, një familjar i mirë. E mësuam në mëngjes atë që ndodhi, por duke qenë një shtet i fort dhe nuk mund të bënim asgjë, i’a lamë shtetit t’a zgjidhte atë punë. Nuk i di dozat e alkoolit, por mos vallë ishte llampë e vjetër ajo që e kontrolloi”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *