Sezoni i rekordeve, “vera” Ndriçim Shtubina në shifra

E thonë shifrat, ky është sezoni më i mirë për Ndriçim Shtubinën. Lojtari “xhol” i Laçit, i cili një vit më parë zgjodhi Kukësin për të luftuar për titullin, përjetoi gjashtë muaj jo të mirë me skuadrën verilindore. Gjithsesi ai e dinte shumë mirë se kishte ende për të dhënë në futboll. Menjëherë pranoi ofertën e Laçit, klub me të cilin mund të kishte bashkëpunuar edhe në të shkuarën.

Gjysma e parë e sezonit ishte e mirë. Me bardhezinjtë luajti rregullisht titullarë dhe shënoi dy gola. Në verë pati një ofertë nga Trepça ’89. I drejtpërdrejtë me presidentin Pashk Laska, i cili i tha troç: “Ik, mos e humb atë kontratë”. Gjithsesi nuk u konkretizua asgjë dhe shkodrani mbeti pjesë e Laçit. Më mirë për të dyja palët. Dje ai shënoi golin rekord, të tetin personal brenda një kampionati. Në vitin 2014 me Vllazninë kishte shënuar 7 herë.

https://www.instagram.com/p/BwfDAcMgyEF/?utm_source=ig_share_sheet&igshid=z0wauf2fzt2l

Shtubina është shënuesi më i mirë i Laçit këtë sezon, ndërkohë që nuk duhet harruar se e ka nisur shpesh herë si mbrojtës këtë sezon. Ndoshta, po të luante çdo ndeshje në majë të sulmit, apo në krahë, me siguri do e kishte edhe ndonjë gol më shumë. Gjithsesi shifrat janë këto që janë dhe për anësorin 32-vjeçar mbeten të mira.

Katër prej golave të Shtubinës këtë sezon kanë qenë trepikësh, pasi ka shënuar në fitoret 1-0 ndaj Skënderbeut, Partizanit, Kamzës dhe Luftëtarit. Gjithmonë për Laçin ai ka shënuar golin e parë, që sikurse dihet është vendimtar në një ndeshje. Po t’i përkthejmë golat e tij në pikë, në 22 prek pikëve të marra Shtubina ka qenë shumë i rëndësishëm. Deri në fund ka sërish ndeshje dhe Laçi ka nevojë për golat e tij, ndërkohë shkodrani mund të thellojë rekordin. Përpara është Partizani…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *