Realdo Fili ka qenë një ndër lojtarët kyç të Luftëtarit gjatë pjesës së dytë të sezonit. Një eksperiencë aspak e këndshme te Skënderbeu solli që sulmuesi fierak të zbarkonte në Gjirokastër gjatë janarit, lëvizje kjo që rezultoi e goditur për 23-vjeçarin.
Në një intervistë për “Supersport”, Fili analizon sezonin me bluzinjtë dhe flet për të shkuarën dhe të ardhmen e tij.
“Ky gjysmë sezoni ka qenë mjaft pozitiv. Nuk ka pasur shumë pritshmëri, por i kemi tejkaluar. Jam i kënaqur në aspektin personal. Gjithsesi besoj se kam edhe më shumë potencial, por shpresoj që nxjerr më vonë”.
“Kur erdha mbijetesa ishte objektivi i vetëm. Duke parë që mund të bënim diçka në Kupë, shpresat ishin të mira. Sidomos pas ndeshjes së parë që doli 0-0. Në ndeshjen e dytë u prish gjithçka. Do ishte kënaqësi e madhe të luajë një finale, por nuk ishte e thënë. Ndoshta do e provojmë sërish vitin tjetër”.
LUHATJET NË KARRIERË DHE E ADHMJA “Kjo për mua është një sfidë. Ishte e vështirë të ruaja ritmet e fillimit. Shpresoj të rikthehem aty ku isha dhe të bëj sa më mirë me paraqitjet e mia. Për momentin jam i përqendruar te ndeshjet e fundit të këtij sezoni, pastaj për të ardhmen do të kemi diçka më të mirë sigurisht”, përfundoi Fili.