Sekretet e Milot Rashicës: Flija, Verderi i Pizarros dhe… Unikkatili

Milot Rashica shënoi golin e fitores për Verderin kundër Hanoverit në transfertë, ndërsa në barazimin 2-2 përballë Ajntrahtit të Frankfurtit nuk zbriti në fushë si pasojë e një dëmtimi. 22-vjeçari shqiptar u transferua vjet në janar nga Viteshe te Verder Bremen, ndërsa këtë sezon ka shënuar dy gola në kampionat.

Lojtari ofensiv ka dhënë një intervistë të veçantë për “Werder.de”, duke zbuluar detaje interesante nga jeta e tij. Momentet më të bukura në karrierë, emocionet e forta me përfaqësuesen e Kosovës, serialet e preferuara dhe ushqimet që adhuron të konsumojë.

Miloti pëlqen flinë dhe byrekun, dëgjon Hip Hop, idhulli i tij është i mirënjohuri Viktor Paloka, i njohur me emrin e artit Unikkatil. Ai është personi që e motivon më shumë dhe para çdo ndeshje dëgjon Unikkatilin për të zbritur pastaj në fushë i karikuar dhe plot adrenalinë.

Rashica nuk i preferon ëmbëlsirat, zbulon idhujt e tij në futboll, është rritur me La Ligën spanjolle dhe Bundesligën gjermane dhe i pëlqen të përdorë Instagramin. Ai ka lindur në Vushtrri, rikthehet atje sa herë që ka sadopak kohë të lirë dhe në fund e mbyll me plazhet e Shqipërisë. Jugu është special, ndërsa nuk ka si Saranda…

MOMENTET MË TË BUKURA – “Dy transfertat, e para nga kampionati i Kosovës në atë holandez dhe më pas kalimi te Verderi janë momente speciale dhe të veçanta. Gjithsesi mendoj se dalja në vendin e parë në Ligën e Kombeve me vendin tim është momenti më i bukur. Ajo arritje kishte një rëndësi të madhe për të gjithë ne. Unë kam lindur në Kosovë, nisa shkollën atje, luajta futboll deri në moshën 18-vjeçare dhe vazhdoj të mbetem shumë i lidhur me Kosovën. Shumë njerëz kanë humbur jetën në luftë, kanë humbur të afërmit e tyre dhe kanë vuajtur shumë. Ka patur dhe ka akoma shumë konflikte. Ka qenë një rrugë e gjatë për të mbërritur te liria, ndërsa për shumë kohë nuk jemi njohur si federatë nga FIFA, prandaj ajo arritje ka shumë rëndësi për mua.”

SERIALET – “Padyshim ‘House of Money’. Do të më kishte pëlqyer t’i shihja të gjitha seritë njëherazi. Më pas zgjedh ‘Prison Break’. Përgjithësisht i shoh serialet në anglisht, pasi më mëson të përmirësoj gjuhën.”

BREMENI – “Vendi im i preferuar është restoranti ‘The Bellini’. I njoh pronarët dhe gjithë stafin që punojnë aty. Shumica e tyre vijnë nga Shqipëria dhe Kosova. Ushqimi është shumë i mirë dhe preferoj të shkoj atje kur vendos të dal jashtë.”

USHQIMI I PREFERUAR – “E fejuara ime gatuan në mënyrë fantastike. Zakonisht preferojmë mishin dhe makaronat, por ajo mund të gatuajë gjithçka. Për shembull ne konsumojmë shpesh flinë, një gatim tradicional shqiptar. Mund të përmend dhe byrekun me djathë ose mish dhe bukën tradicionale shqiptare. Më pëlqen gjithçka që ajo gatuan.”

REPERI I PREFERUAR – “Unë dëgjoj vetëm Hip Hop shqiptar. E kam të vështirë të zgjedh dhe shumica janë shokë të mitë. Nëse do të më duhej të zgjidhja një të huaj, zgjedh AZET. Ai jeton në Gjermani, por ka lindur në Kosovë. Loredana dhe Mozik janë miq të mi. Unë preferoj Mc Kreshën. Ai mbajti një koncert në Vushtrri, vendlindjen time, dhe doli në skenë me bluzën time. Ishte një surprizë e madhe për mua. Ai është gjithashtu një tifoz i madh i futbollit. Mund të përmend dhe emra të tjerë si: Ledri Vula, Capital T, Gold Ag dhe disa të tjerë.”

UNIKKATIL – “Ekziston një artist, i cili më frymëzon dhe motivon shumë. Emri i tij është UNIKKATIL, është nga Kosova dhe jeton në Amerikë. Mendoj se ai është një nga reperët më të mirë në botë. Përgjithësisht dëgjoj këngët e Unikkatilit përpara se të futem në fushën e blertë.”

ËMBËLSIRA E PREFERUAR – “Nuk i pëlqej shumë ëmbëlsirat. Maksimumi konsumoj ndonjë çokollatë pas ndeshjeve, por jo shumë.”

Pizarro, Ozil dhe Diego

IDHULLI – “Kristiano Ronaldo edhe për rolin që ka në fushë. Nuk mund të them që ai është më i mirë se Mesi. Të dy janë lojtarë të pabesueshëm. Kur isha i vogël ndiqja ndeshjet e Realit, por dhe Bundesligën. Në rininë time kishim mundësi të ndiqnim vetëm ndeshjet e kampionatit spanjoll dhe atij gjerman. Aty shihja dhe ndeshje të Verder Bremenit. Ishte periudha kur në ekip luanin emra si Klose, Pizarro, Diego dhe Ozil. Kur luajta bashkë me Klaudion (Pizarro), njerëzit filluan të bënin shaka: “Kur Pizarro bëri debutimin e tij, Miloti ishte ende në kopsht…”. Ko tregon se Verder Bremeni është një klub i njohur në Kosovë.”

BASKETBOLLI  – “Ekipi im i preferuar është Golden State Warriors, por nuk i ndjek shumë. Nuk jam një tifoz i madh i basketbollit. Përgjithësisht shoh më shumë futboll.”

APLIKACIONI I PREFERUAR – “Instagrami. Më pëlqen dhe e përdor shumë si në postimin e fotove. Përdor dhe insta story për të treguar se çfarë po bëj për momentin.”

VENDI I PREFERUAR – “Kosova dhe vendlindja ime Vushtrria. Kur kam disa ditë pushim, më pëlqen të rikthehem në shtëpinë time në Vushtrri. Ka disa plazhe shumë të bukura në Shqipëri. Isha vitin e kaluar, qëndrova 4-5 ditë dhe shumë turistë kanë filluar të vijnë. Shumica vijnë nga Norvegjia dhe Suedia. Rekomandoj Sarandën në jugun e Shqipërisë, sepse ka plazhe të mrekullueshme.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online