Mauricio Sarri është kandidati kryesor për stolin e Juventusit. Trajneri italian provoi për herë të parë gjatë këtij sezoni emocionet e Premier Ligës, aty ku riktheu Çelsin në Champions dhe fitoi Ligën e Europës.
Ish-trajneri i Napolit ka dhënë një prononcim tepër interesant për “Vanity Fair”. Italia i mungon dhe rikthimi e tundon. Tani po ndjen realisht mungesën e miqve dhe largësinë me prindërit e plakur.
Tifozët e Napolit i mban në zemër, do vazhdojë t’i mbajë aty, ndërsa kalimi i tij i mundshëm te bardhezinjtë e Juves nuk duhet t’i trishtojë. Besnikë nuk ka më në futboll, i fundit ishte Françesko Toti.
Sarri shpjegon teorinë e tij të futbollit, sqaron ndryshimin midis një lojtari të mirë e një kampioni dhe e mbyll me gjërat për të cilat është supersticioz.
RIKTHIMI – “Thirrja e shtëpisë është e fortë. E ndjej që më mungon diçka. Kalova një vit të vështirë dhe kam filluar të ndjej faktin që miqtë i kam shumë larg dhe prindërit e moshuar i shoh rrallë. Gjithsesi, në moshën time bëj vetëm zgjedhje profesionale, pasi nuk mund të stërvis edhe për 20 vite. Ulja në pankinë është profesion i vështirë. Kur kthehem në shtëpinë time në Toskana ndihem si i huaj. Vitet e fundit kam fjetur vetëm 30 net.”
NAPOLI – “Napolitanët e dinë dashurinë që kam në zemër për ta. Zgjodha të largohem jashtë për të mos u ulur në pankinën e një tjetër skuadre italiane. Profesioni mund të çojë në rrugë të ndryshme, por raporti mbetet. Besnikëri do të thotë të japësh 110% në momentin që je pjesë e diçkaje. Çfarë do të thotë të jesh besnik? Po nëse një ditë klubi të largon? Çfarë do të bësh, do i qëndrosh besnik një gruaje nga e cila jeni divorcuar? Simboli i fundit ka qenë Françesko Toti, në të ardhmen do të kemi zero të tillë.”
SARRIZMI – “Është thjeshtë një mënyrë loje futbolli dhe kaq, që ka lindur nga shpullat e marra. Evolucioni është vajza e humbjeve, jo vetëm në futboll. Unë nuk di të festoj pas një fitoreje. Kush fiton, mbetet i vendosur pas bindjeve të tij. Humbja të qëndron më shumë brenda, të bën kritik, më bën të hedh një hap përpara. Nipi im më lexon faqen në facebook ‘Sarrizmi dhe Revolucioni’. Njerëzit zbaviten, por unë jam anti-social. Nuk kam as whatsapp.”
INDIVIDI – “Ekzistojnë skuadra të mesme me lojtarë të mëdhenj ose skuadra të mëdha me lojtarë mesatarë. Këtu bazohet puna ime. I jashtëzakonshëm është ai që vihet në shërbim të skuadrës, përndryshe është vetëm një futbollist i mirë. Jemi mbushur plot me fenomenale në mbajtjen e topit. Edhe në semaforë gjen pafund të tillë. Zbavitja duhet të jetë kolektive, përndryshe mërzitesh brenda 5 minutash.”
SUPERSTICIOZ? – “Nëse klubi do të më detyronte të vishesha në një mënyrë tjetër, do e bëja. Mua më sjellin trishtim kolegët e rinj, të cilët vishen me kollare në ndeshjet e moshave. Kam hequr dorë nga veshja e ngjyrave të zeza. Më ka mbetur zakoni i mos prekjes së fushës, derisa të mbarojë ndeshja. Herët a vonë do të heq dorë edhe nga kjo.”