Nesër është etapa e dytë midis Çelsit dhe Liverpulit. Djemtë e Çelsit fituan të mërkurën në “Carabao Cup” me rezultatin 1-2, ndërsa nesër në “Stamford Bridge” do të luhet për llogari të kampionatit.
Mauricio Sarri zbulon faktin që zyrtarë të Napolit kanë ndjekur sfidën e së mërkurës, me qëllimin për të studiuar nga afër ekipin e Klopit, kundërshtarët e ardhshëm në Champions.
Ai komenton dhe ndeshjen e kampionatit dhe pret përmirësime nga ekipi i tij, pavarësisht se djemtë kanë filluar të përvetësojnë idetë e trajnerit italian. Në fund një koment për lojtarin më të mirë të skuadrës, Eden Hazard, i cili po kalon një formë të shkëlqyer.
“Napoli e njeh mirë Liverpulin dhe të mërkurën pashë dikë nga ish-klubi im në stadium… Ata po e ndjekin Liverpulin. Lojtarët i janë përgjigjur kërkesave të mia shumë më shpejt nga sa e prisja. Nuk jemi akoma në 100% dhe duhet të përmirësohemi në shumë aspekte, edhe atë taktik. Hazard? Eden është një nga lojtarët më të rëndësishëm të ekipit dhe jam i bindur që mund të përmirësohet akoma. Mendoj që për momentin, Hazard është në 70-80% të formës së tij, por shumë shpejt do të bëhet lojtari më i mirë në botë dhe unë do e ndihmoj për ta realizuar këtë”, përfundon trajneri i “Bluve të Londrës”.