Bajerni i Mynihut e ka nisur prej kohësh merkaton e verës, teksa ka zyrtarizuar muaj më parë blerjen e dyshes franceze Lukas Hernandez-Pavard. Tashmë, sytë e bavarezëve janë hedhur nga mesfusha dhe sulmi, ku krahët janë problemi kryesor.
Një ndër emrat më të përfolur të kohëve të fundit ka qenë Leroj Sane, e gjermanin që nuk është i lumtur te Siti, sidomos këtë sezon. Gjithsesi, “Citizens” nuk kanë ndërmend të privohen nga shërbimet e tij dhe kërkojnë të paktën 100 milionë euro.
Diçka të tillë e ka konfirmuar Uli Hënes, i cili tha se Bajerni ofron 80 milionë euro dhe jo më shumë, duke deklaruar se Siti mendon se po luan “Monopoly”. Së fundmi, për këtë çështje për “Bild” ka folur edhe shefi ekzekutiv i bavarezëve, Karl-Hajnc Rumenige, i cili ka thënë se nuk ka pasur asnjë ofertë të Bajernit, të paktën deri tani.
“Nuk kemi bërë ofertë për Sane, madje jemi larg nga ky hap. Fillimisht, lojtari duhet të vendosë nëse dëshiron të vijë te Bajerni. Nëse kjo është dëshira e tij, atëherë do të fillojmë bisedimet me Mançester Sitin. Dëshira e lojtarit është faktori më i rëndësishëm. Me sa duket, Leroj nuk ka vendosur ende”.