Samu Kastijeho ishte një ndër blerjet e merkatos së verës së kaluar te Milani. Spanjolli u afrua në “San Siro” për 18 milionë euro plus kartonin e Karlos Bakas. Anësori ka patur minuta në këmbë, por shumë rrallë e ka nisur ndeshjen si titullar.
Lidhur me këtë çështje, vetë Kastijeho ka folur për “Sport Mediaset”, teksa është pyetur mbi aktivizimin e tij, pasi në ndeshjet e fundit ka treguar formë mjaft të mirë. 24-vjeçari gjithashtu ka folur edhe mbi të ardhmen e tij dhe për një vend në kombëtaren spanjolle.
“Pjesa e parë ndaj Interit nuk shkoi mirë. Në pjesën e dytë Milani luajti më mirë dhe tregoi dëshirë për të fituar, por ndeshja nuk shkoi ashtu siç donim në fund. Jemi gati për sfidën ndaj Sampdorias. Dëshiroj të luaj më shumë, si të gjithë lojtarët është normale. Kombëtarja? Tani është pak e vështirë, pasi ka shumë lojtarë të mirë, por është një objektiv për të ardhmen”, përfundoi spanjolli.