Sadiku: Oferta e Legias ishte super, do t’i fitoj edhe tifozët

Armando Sadiku, me një vendim surprizë, ka zgjedhur të transferohet në Poloni, te Legia e Varshavës, kampione e Polonisë dhe dominuese e këtij vendi, por që tashmë kërkon të shkojë larg edhe në Champions League, ndaj ka investuar jo pak te bomberi shqiptar, i cili do të marrë një pagë të jashtëzakonshme, rreth 600 mijë euro në sezon, për 3 vjet.

Duke folur për ekskluzivisht për “Super Sport”, Sadiku zbulon pse zgjodhi Legian: “Të gjithë, por edhe unë vetë, prisja ndonjë skuadër në ndonjë kampionat të madh në Europë si Gjermania apo Italia. Ditën e hënë kisha përpara meje katër oferta dhe Legia ishte skuadra që më ofroi gjithçka më të mirë se të tjerat. Nuk u mendova dy herë, por e firmosa menjëherë kontratën. Pasi kalova vizitat mjekësore e firmosa kontratën dhe do të nis menjëherë stërvitjen. Do të jem gati prej fundjavës që të luaj në kampionat me Legian.

“Legia më ka dashur që para një viti kur përfunduam Europianin dhe trajner ishte Besnik Hasi. Kalimi nuk u konkretizua sepse unë po prisja diçka edhe më të mirë. E desh fati që tani të më kërkonin prapë dhe firmosa këtu. Jam shumë i kënaqur sepse i shoh të gjithë njerëzit këtu që më kanë pritur me shumë entuziazëm. Tifozeria, stadiumi dhe kushtet janë perfekt për tu zhvilluar akoma më shumë në karrierën time si futbollist.

Sadiku premton gola, sidomos në Champions, ku Legia ka vërtet nevojë: “Shpresoj që të shënoj sa më tepër gola dhe të ndihmoj ekipin. Te Legia kanë ambicie dhe duan të shkojnë sa më lart në Champions, sepse nuk u mungon asgjë. Që kur firmosa ditën e parë, drejtori sportiv më tha: Ne të duam për ndeshjet e rëndësishme, sepse aty kemi mungesa, pasi në kampionat dhe në Kupën e Polonisë jemi dominues. Por, në Champions mungojnë golat që të përmbushin objektivat që klubi ka, të paktën për të kaluar fazën e grupeve.”

Tifozët e Legias kanë mbetur paksa të befasuar nga lëvizja e fundit e klubit dhe janë kuriozë ta shohin në fushë sulmuesin tonë, i cili u nis një mesazh: “Jam gati dhe po pres me padurim që të luaj ndeshjen e parë me Legian. Do të jetë shumë emocionuese. Shpresoj që t’ia fitoj zemrën tifozerisë prej ndeshjes së parë në shtëpinë tonë. Besoj që çdo gjë do të shkojë mirë. Unë nuk ndihem në presion, pasi jam i sigurt në veten time. Do të jap 100% në çdo ndeshje. Kudo ku kam shkuar ua kam fituar zemrën tifozëve dhe besoj se kjo gjë do të ndodhë edhe këtu te Legia.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *