Armando Sadiku është rikthyer në grumbullim me skuadrën e Levantes. Sulmuesi shqiptar u bashkua me vonesë me ekipin valencian për shkak se klubi i dha leje të qëndronte disa ditë më shumë pushim për shkak të angazhimit me kombëtaren shqiptare në muajin qershor.
Kontrata e Sadikut me Levanten përfundon në fund të sezonit të ardhshëm, por ka pak gjasa që 28-vjeçari të mbetet lojtari i klubit spanjoll në fund të merkatos së verës. Eksperienca e shqiptarit në huazimin në Zvicër te Lugano dha rezultate të kënaqshme dhe një rikthim në Super Ligën Zvicerane s’do çudiste askënd.
Pak javë më parë u përfol për një interesim të turqve të Trabzonsor, por duket se klubi turk ka ndërruar mendje. Në dy vite qëndrim te Levante, Sadiku është aktivizuar në vetëm 6 ndeshje të La Ligës. Kontribut në këtë numër kaq të ulët kanë dhënë dhe dy dëmtime afatgjata që e kanë mbajtur me muaj të tërë jashtë fushave të blerta.