Ekziston gjithmonë dilema, nëse duhet të jesh i qetë, apo i ashpër, sidomos kur je trajneri i një ekipi. Perfektja është harmonizimi i të dyjave, ashtu siç ka bërë Mauricio Sarri.
Italiani i Çelsit i urren humbjet, të gjithë kanë të njëjtën ndjesi në futboll, dhe kur një gjë e tillë ndodh, më mirë mos i dil përpara. Antonio Rudiger, mbrojtësi gjerman i ekipit londinez, ka folur për “Evening Standart”, duke treguar “panikun” e përjetuar pas humbjes kundër Uolsvesit në transfertë.
Megjithatë, nervat bien gjithmonë dhe Sarri, i cili është një person që preferon më shumë të dhurojë dashuri sesa të përhapë frikë, arriti të motivonte ekipin e tij për ndeshjen pasardhëse kundër kampionëve të Mançester Sitit.
“Pas ndeshjes kundër Uolvesit (Çelsi u mposht me rezultatin 2-1) Sarri na frikësoi. Dukej sikur po luante mendsh, por kishte të drejtë, sepse nuk duhej humbur ajo ndeshje. Ditën tjetër, trajneri ishte shumë i qetë dhe e kishte të qartë atë që do të na thoshte. Bisedoi me ne dhe na bëri të kuptojmë se duhet të besojmë shumë te vetja jonë. Dëshironte që të përballeshim me Mançester Sitin me bindjen e fitores”, përfundon Rudiger. Në fakt ashtu ndodhi, Kante dhe David Luiz shënuan golat e fitores dhe djemtë e Sarrit arritën një fitore të madhe kundër ekipit të Guardiolës.