“Rrugaçi” që ia ofruan Flamurtarit, tjetër bëmë në Serinë B

Futbollisti i Napolit, Zinedin Maçaç, ishte shumë pranë kalimit te Flamurtari gjatë merkatos së verës. Megjithatë, transferimi nuk u finalizua pasi drejtuesit e klubit vlonjat u stepën nga incidentet e shumta që kishin shoqëruar 23-vjeçarin në çdo ekip ku kishte shkuar. Zënkat me shokët e ekipit ishin normalitet dhe madje në një rast rrahu trajnerin për shkak se nuk i la të godiste një goditje dënimi.

Napoli e huazoi mesfushorin franko-algjerian te Karpi në Serie B. Aty aventura e tij zgjati vetëm dy muaj, pasi u përfshi në një sherr me dy shokë të ekipit. Pavarësisht këtij incidenti, një tjetër ekip i Serie B mori riskun për ta afruar 23-vjeçarin problematik.

Bëhet fjalë për Krotonen. Klubi kalabrez e huazoi lojtarin gjatë merkatos së janarit, por pas ndeshjes me Breshian Maçaç bëri prapësinë e radhës. Në takimin e së shtunës kundër ai u fut në fushë në minutën e 67-të dhe pas 13 minutash lojë gjyqtari i nxori kartonin e kuq për shkak të duartrokitjeve ironike.

Maçaç duke luajtur me Krotonen

Në përfundim të takimit trajneri i Krotones,  Xhovani Stropta, deklaroi se Maçaç s’do të luajë më asnjë ndeshje për ekipin e tij. Me siguri nëse francezi do të vinte te Flamurtari vështirë se do të zgjaste më shumë se dy muaj, duke marrë parasysh problematikat e vlonjatëve, si brenda klubit, ashtu edhe me trupën e arbitrave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *