Vllaznia sot feston 100 vjetorin. Askush nuk e kishte menduar se kjo datë e shënuar do ta gjente skuadrën shkodrane duke garuar në Kategorinë e Parë. Gjithsesi realiteti është ky që është dhe në qytetin verior duhet të gjejnë një zgjidhje të përhershme për klubin, që edhe borxhet nuk i ka të pakta.
Privatizimi është premtim elektoral, pasi deri më tani nuk ka asnjë hap konkret. Vlerësimi i aksioneve nuk ka sjellë asgjë të re dhe kuqeblutë mbeten nën pronësinë dhe administrimin e Bashkisë Shkodër. Momentalisht shkodranëve u ka mbetur të krenohen me faktin se janë klubi i parë shqiptar.
Edhe për këtë madje kanë “rivalitet”, pasi në Elbasan pretendojnë ta kenë krijuar më parë klubin verdheblu. Gjithsesi, në Shkodër (dhe jo vetëm aty) janë të shumtë ata që mendojnë se janë profesorët e futbollit dhe janë ata që e kanë nisur me topkëmbën në vendin tonë.
Samuel Nikaj, dikur pjesë e stafit teknik të Vllaznisë, tanimë drejton Vushtrrinë në Kosovë dhe në rrjetet sociale “ngacmon” klubet e tjera në vendin tonë. Një foto e postuar në “Instagram” vë në rresht Tiranën, Skënderbeun, Kukësin e Partizanin, që qëndrojnë përballë profesorit “Vllazni”.