Skuadra më e fortë e grupit A në Kategorinë e Dytë, Tërbuni, u ndal sot te barazimi 0-0 në Pukë nga Partizani B. Ishte Partizani B vetëm në teori, sepse praktikisht gjysma e ekipit ishte me emra të rëndësishëm të ekipit të parë.
Ekipi B, që zakonisht luan me U23, këtë radhë ishte përforcuar frikshëm, me Xhikën në portë, Rexhepin dhe Atandën në qendër të mbrojtjes, Kote dhe Jaiteh në mesfushë, Lukas Kardozo në sulm.
Një ekip i frikshëm në letër, por Tërbuni e dominoi ndeshjen, duke dalë i dëshpëruar nga fusha për barazimin pa gola, që gjithsesi nuk ia rrezikon kreun, sepse ka 4 pikë avantazh nga Gramshi e Partizani B, me 3 ndeshje të mbetura (2 për Partizanin B, që është praktikisht jashtë gare).
Ajo që bën përshtypje është rregullorja skandaloze e Federatës Shqiptare të Futbollit: në Kategorinë e Dytë ndalohen të huajt dhe asnjë klub nuk mund të federojë futbollistëme pasaportizim jashtë rrethit të vet!
Kjo rregullore nuk funksionon për ekipet B, sepse Partizani mund të hedhë në fushë kë të dojë, mjafton të mos ketë luajtur 48 orë më parë me ekipin e parë. Absurditet tjetër është edhe fakti se çdo i pezulluar i ekipit të parë te Partizani luan pa problem në ekipin B, skandal i paparë, po të mendosh që pezullimi i një futbollisti mbartet edhe nga një kampionat në tjetrin, në çdo vend të botës.
Në Pukë nuk duan ta bëjnë të madhe, ndoshta ndikuar edhe nga renditja mjaft e mirë, por trajneri Oltijon Kërnaja me ironi shprehet: “Ekipet e Kategorisë së Dytë bëjnë mirë të ndërrojnë emër sezonin e ardhshëm dhe të bëhen ekipet B të Tiranës, Skënderbeut e kështu me radhë, në mënyrë që çdo fundjavë të marrin 3-4 emra nga ekipi i parë. Klubet që nuk e bëjnë këtë, luftojnë si ne, me armë të pabarabarta. Nuk është normale që gjithë Tërbuni të paguhet sa 2 lojtarë të Partizanit A dhe ata vijnë me 5 lojtarë nga ekipi i parë, lojtarë që i ëndërron çdo ekip në Superiore”.