Lorenc Trashi po spikat me Partizanin dhe sigurisht që është një personazh i preferuar nga mediat dhe tifozët. Mbrëmë ka qenë i përzgjedhur nga emisioni “Zona Gol” në Supersport dhe lojtari i linjës së majtë ka zbuluar edhe se është me Interin.
Më vonë mund të ketë edhe batuta për këtë, si për shembull që Kristian Panuçi nuk e fton në kombëtare prej këtij fakti. “Ekipi im i zemrës aktualisht ndodhet në vendin e pestë. Unë jam tifoz me Interin, por më vjen keq që Juventusi është shkëputur shumë, që në fillim”, u shpreh fillimisht futbollisti i Partizanit.
NDRYSHIMET TE PARTIZANI – Pikërisht klubi i kuq ishte fokusi dhe Trashi foli për ndryshimet që kanë pësuar gjatë kësaj vere: “Shumë prej atyre lojtarëve që u larguan, erdhën në fund të kontratës së tyre me klubin dhe nuk ranë dakord për shifrat e kontratës së re. Unë jam ende nën kontratë dhe jam i kënaqur që vijoj të jem pjesë e Partizanit. Për më tepër, pastaj është normale që duhet punuar shumë në fushë, që të meritosh fanellën e Partizanit”.
KOMBËTARJA – Trashi ndihet mirë kur e lakojnë si kandidaturë për kombëtaren: :Nuk më bezdis, madje më bën të ndjehem mirë dhe deri diku i vlerësuar, por unë do të doja që jo thjesht emri im të përflitej, por të grumbullohesha dhe të jepja kontributin tim për ngjyrat kuqezi”.
Më tej ai thekson se nuk duhet të transferohet jashtë për të luajtur me kombëtaren: :Unë besoj që kjo nuk duhet të funksionojë kështu, pasi do të ishte ironizim i Superligës Shqiptare. Unë personalisht kam përshtypjen që Superiorja është një kampionat i fortë dhe lojtarët që luajnë këtu, mund të përfaqësojnë Shqipërinë”.
KUKËSI – Nesër Partizani përballet me një rival direkt për titullin. “Kemi një ndeshje shumë të vështirë me Kukësin dhe duhet të dimë se ata nuk ishin në ditën e tyre më të mirë ndaj Skënderbeut, ndaj duhet të mos bazohemi tek ajo ndeshje. Gjithsesi ne jemi maksimalisht të angazhuar për të dhënë më të mirën dhe shpresojmë që më pas gjithçka të shkojë me sukses”.
QETËSIA DHE ROLI – Me Bathën shpesh ishte parë një Trash agresiv. Shpesh i vërsuleshin arbitrave, por nuk ndodh më. “Strategjia është e stafit, pra e trajnerit, që është konsultuar me ne dhe na ka porositur që të jemi të qetë dhe të përqendrohemi vetëm te loja jonë, jo të merremi me gjërat e tjera”, thotë “xholi” i të kuqve.
Sigurisht nuk mund të mungonte pyetja mbi pozicionin që Trashit i pëlqen të luajë. “Të them të drejtën jam i përqendruar totalisht te loja ime si mbrojtës dhe dua të perfeksionohem sa më shumë në këtë pozicion. Më pas kuptohet që mundohem të ndihmoj skuadrën edhe përpara, sa herë që më jepet mundësia”, përfundoi 26-vjeçari, i cili luan sezonin e pestë me Partizanin.