Rrëfimi i sinqertë i Kulibali: Do qaj kur të largohem, Ançeloti shembull për mua

Kalidu Kulibali është një nga pikat më të forta të Napolit. Lider, shtylla e mbrojtjes dhe idhull absolut i tifozëve. Lojtari i lindur në Francë, por që aktivizohet me kombëtaren e Senegalit, ka dhënë një intervistë për “Corriere dello Sport”, ku tregon problemin e racizmit në Itali dhe urrejtjen kundrejt Napolit dhe jugut të Italisë në përgjithësi.

27-vjeçari ndihet shkëlqyeshëm te Napoli dhe është i sigurtë që do të qajë në momentin që do të largohet. Kulibali dhe tifozët shpresojnë që kjo ditë të vijë sa më vonë të jetë e mundur, ndërsa nuk mungojnë dhe elozhet për trajnerin. Ançeloti është një trajner i madh, por më shumë është Karlo. Përulësi dhe mirësi. Vështirë që dikush të flasë ndonjë fjalë të keqe për të, ndërsa Kulibali e sheh si një shembull trajnerin e tij.

RACIZMI – “Ndihem francez dhe senegalez që kur kam lindur, por një vit e gjysmë pasi erdha te Napoli, ndihesha qytetar napolitan. Kur erdha këtu, njerëzit më thonin që në Itali kishte shumë racizëm. Unë doja ta kuptoja vetë një gjë të tillë, por realiteti është ndryshe, edhe pse disa episode ndodhin. Thirrjet ‘buuu’ më fyejnë dhe nuk i pranoj, sepse nuk janë vetëm kundër meje, kundër ngjyrës time të lëkurës. Kjo është ndonjëherë dhe kundër napolitanëve dhe njerëzve të jugut. Më vjen shumë keq për këtë gjë, sepse kur je në një vend ku duhet të përcjellësh ndjenjën e përkatësisë dhe pastaj fishkëllen kundër popullit të jugut, ose bën kore raciste, përfundon duke rënë në kontradiktë me veten.”

“Ju jap një shembull: Kur dikush si Insinje, i cili është një fenomen absolut, ndoshta lojtari më i mirë italian, fishkëllehet në stadiume për faktin që është nga jugu, si duhet ta trajtosh atë kur vesh bluzën e kombëtares? Nuk i kuptoj këto lloj sjelljesh dhe shpresoj që të përmirësohen sa më shpejt. Portieri im i shtëpisë, i cili quhet Çiro, më ka thënë: ‘Kur vjen te Napoli qan dy herë. Kur vjen dhe kur largohesh’. Unë iu përgjigja: ‘Nuk kam qarë kur erdha, por nëse një ditë do të largohem, shpresoj sa më larg të jetë e mundur, e sigurt që do të qaj’. Kishte të drejtë, jam shumë i lumtur këtu. Njerëzit flasin shpeshherë keq për Napolin dhe nuk e dinë se çfarë është Napoli. Kur nuk e përjeton vetë, nuk e kupton asnjëherë.”

BENITEZ-SARRI – “Futbolli i Benitez dhe Ançelotit ngjajnë dhe të dy janë trajnerë fitues. Benitez më bëri të zbuloj futbollin e madh, unë vija nga Seria B e Francës dhe Belgjika, ndërsa Rafa më ktheu në një titullar të Serisë A. Futbolli i Sarrit është i bukur dhe më ka bërë ta shoh futbollin nga një tjetër këndvështrim. Filozofia e tij ishte e fokusuar te taktika, me të gjithçka ishte e parashikuar dhe asgjë nuk i lihej rastësisë. Sot, kur shikoj një ndeshje të ndonjë ekipi, nuk e shoh me syrin që e shihja përpara katër-pesë vitesh dhe i detyrohem Sarrit për këtë gjë.”

ANÇELOTI – “Ançeloti më befason me përulësinë që ka ende, pavarësisht se ka fituar gjithçka. Dëshiron të fitojë akoma dhe kjo dëshirë nuk i mungon kurrë. Iu jep të gjithëve besim dhe nuk besoj se do të dëgjoni ndonjëherë një lojtar të flasë keq për trajnerin. Shpresoj të fitojmë diçka me Ançelotin. Ai është një person fantastik dhe gruas time i them shpesh që në moshën e tij, shpresoj të jem një person si ai.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online