Ish-presidenti i Barcelonës Zhoan Gaspart ka rrëfyer në një intervistë për “goal.com”, prapaskenat e largimit të bujshëm të Ronaldos në vitin 1997 drejt Interit. “Fenomeni” ishte blerë vetëm një vit më parë për një shumë rekord nga holandezët e PSV-së dhe e kishte përligjur këtë investim të çmendur për kohën me 47 gola në 49 aktivizime në debutimin e tij në Spanjë.
Agjentët e Ronaldos ishin treguar largpamës dhe kishin vendosur në kontratën e lojtarit një klauzolë largimi 27 milionë Euro (shumë e konvertuar). Ecuria jashtëzakonisht e mirë e lojtarit vuri në alarm drejtuesit e Barcelonës, që e kuptuan se mund rivalët mund t’ua rrëmbenin yllin e ri të ekipit.
Në 19 qershor të 1997-ës palët arrijnë në një marrëveshje që pranohet në parim nga lojtari dhe dy agjentët e tij. “Ishim të ekzaltuar pasi morëm miratimin e tyre, Ronaldo mesi po priste të firmoste”, thotë Gaspart, i cili luajti rol kyç në negociatat e rinovimit: “Shkuam ta festonim marrëveshjen në një restorant, ku hapëm shampanjë, por u treguam shumë naiv, pasi duhet të kishim mbyllur dokumentet menjëherë pasi Ronaldo na tha po”.
“Kur po drekonim me agjentët e lojtarët, njërit prej tyre i bie celulari dhe largohet për gjysmë ore”, thot Gaspart. Marrësi nuk ishte askush tjetër përveç se presidentit të Interit, Masimo Morati, që joshi dyshen e agjenteve duke i dhënë një përqindje të kartonit të “fenomenit” në këmbim të miratimit të lojtarit”.
Gaspar kujton më pas se si gjithçka u kthye përmbys: “Agjentët e hodhën poshtë akordin e arritur më parë dhe kërkuan një kontratë krejtësisht të re. I plotësuam të gjitha kërkesat, por gjithmonë dilte një kërkesë tjetër”.
Gjithçka mbaroi kur zyrtarët e Interit depozituan shumën rekord prej 27 milionë eurosh dhe në 1 gusht 20-vjeçari prezantohet para tifozëve në Milano, ku kaloi pesë sezone të mbushur me dëmtime që e ndryshuan rrënjësisht karrierën e tij.