Në orën 21:00 katalanasit do të zbresin në “Estadio de la Ceramica” për tu ndeshur me Vilarealin në javën e 30-të të kampionatit Spanjoll. Barcelonën pas kësaj ndeshje e presin dy sfida delikate. Të shtunën ekipi i Valverdes do të presë në shtëpi rivalët për titullin, Atletikon e Madridit e të mërkurën e javës që vjen do të udhëtojë në Mançester për të diskutuar çerekfinalet Champions Ligës me “djajtë e kuq”.
Për këtë fakt pritet të lihen të pushojnë disa senatorë të ekipit. Malkom do të jetë i favorizuari më i madh. Braziliani dhuroi minuta shumë cilësore në derbin ndaj Espanjolit, ku dhuroi asistin e golit të parë për Mesin në një moment që blaugranat nuk po zhbllokoheshin. Suarez nuk është akoma në gjendje të luajë, kështu që Valverde pritet të rreshtojë një tredhëmbësh me Kutinjo në të majtë, Malkom në të djathtë dhe kapitenin Mesi në qendër.
Kujtojmë që Suarez as në ndeshjen e fazës së parë nuk ka luajtur ndaj Vilareal dhe ndryshimi i vetëm ishte Dembele në vend të Malkom. Francezi nuk është shëruar plotësisht dhe në “Camp Nou” shpresojnë të kthehet ndaj Mançester Junajtid.
Ndryshimet e tjera priten në mesfushë e mbrojtje. Arturo Vidal pritet të jetë titullar, për të lënë pushim Rakitiç. Ndërkohë Pike dhe Zhordi Alba do të pushojnë për të lënë hapësira për Umtiti dhe Sergi Roberto.