Goli i Guedesh i dha fitoren Portugalisë kundër Holandës në finalen e mbrëmjes së kaluar të Ligës së Kombeve. Luzitanët futen në histori si kombëtarja e parë që triumfon në kompeticionin e ri.
Festë për të gjithë, sidomos për Kristiano Ronaldon. Ky ishte trofeu i 30-të në karrierë për yllin e Juventusit. Ronaldo ndihet i lumtur dhe nuk dëshiron të ndalet. 34-vjeçari ka hedhur kandidaturën për fitimin e “Topit të Artë” për vitin 2019.
“Çfarë mund të bëj më shumë për fitimin e ‘Topit të Artë’? Mendoj se asgjë dhe jam i sinqertë në këtë që po them. Nuk jam i fiksuar pas trofeve, gjërat ndodhin natyralisht. Gjithsesi, e pranoj se do të më pëlqente të fitoja ‘Topin e Artë’ sërish”, thekson Kristiano Ronaldo.
Portugezi është ndalur në kuotën e 5 “Topave të Artë”, po aq sa ka edhe Leo Mesi. Të fundit e fitoi në vitin 2017.