Kristiano Ronaldo ka folur për herë të parë për shkakun e vërtetë të largimit të tij nga Reali i Madridit. Ylli portugez u transferua te Juventus pas nëntë viteve në Madrid dhe po shijon aventurën italiane.
Në një prononcim për “France Football”, 33-vjeçari thekson që nuk ndihej më aq i rëndësishëm sa ishte në vitet e para. Florentino Perez e ka parë si biznes, ndërsa sytë e presidentit tregonin të kundërtën e asaj që i dilte nga goja.
Paratë nuk ishin kurrë problem, përndryshe do të kishte fluturuar drejt Kinës, por Ronaldo është një lojtar që ka nevojë për mbështetjen e të gjithëve dhe dëshiron të ndihet i vlerësuar. Topi i Artë mbetet një qëllim dhe dëshirë, ndërsa portugezi flet dhe për ekipin e ri, si dhe akuzat për përdhunim që vijnë nga Amerika.
REAL MADRID – “Kam bërë shumë gjëra pozitive me Realin. Nuk i harroj kurrë momentet e pabesueshme me disa kolegë me vlera të mëdha dhe tifozët e klubit. Mendoj se pas nëntë vitesh në Madrid, kishte ardhur koha për të ndryshuar klub dhe për t’u larguar.”
LARGIMI – “E ndjeja që brenda klubit, sidomos nga ana e presidentit, nuk kishin më konsideratën që kanë patur në fillim për mua. 4-5 vitet e para më krijuan ndjesinë që isha Kristiano Ronaldo. Presidenti më vështronte dhe nga sytë e tij kuptoja që nuk isha më i domosdoshëm në ekip. Kur dolën fjalët e para rreth largimit tim, krijova përshtypjen se presidenti nuk do të pengonte largimin tim.”
JUVENTUSI – “Po ta kisha lënë Realin për çështje parash, do të kisha shkuar në Kinë. Atje më ofruan pesë herë më shumë para. Nuk kam ardhur te Juventusi për para, kam fituar po aq edhe në Madrid, madje më shumë. Diferenca është se Juventusi me të vërtetë më donte mua ma thanë dhe e demonstruan diçka të tillë.”
TOPI I ARTË – “E di, brenda në zemrën time, se unë jam një nga lojtarët më të mirë në historinë e futbollit. E kam thënë disa herë: të fitoj për të gjashtën herë ‘Topin e Artë”, nuk është një fiksim, por sigurisht që dua ta fitoj. Do të ishte gënjeshtër nëse do të thosha ndryshe. Besoj se e meritoj.”
AKUZAT PËR PËRDHUNIM – “Sigurisht që kjo histori ndikon në jetën time. Kam një të dashur, katër fëmijë, një nënë që më rriti, motra, një vëlla dhe një fëmijë që e ndjej shumë pranë vetes. Pa llogaritur reputacionin tim, që është i një njeriu shembullor. Një ditë do të dalë e vërteta. Djali im, Kristiano Jr, është shumë i vogël për të kuptuar çfarë po ndodh. Më e keqja është për nënën dhe motrat e mia. Ata janë të tronditur dhe në të njëjtën kohë shumë të zemëruar. Kjo është hera e parë që i shoh ata në këtë situatë.”