Ronaldo i zbraz të gjitha: Nuk kam pse të flas për Realin!

Juventusi luan mbrëmjen e nesërme një sfidë mjaft të vështirë në transfertë ndaj Mançester Junajtid. Ndeshja do të luhet pikërisht në “Old Traford”, aty ku Kristiano Ronaldo u bë i njohur, si dhe fitoi zemrat e të gjithë tifozëve në Mançester. Një ditë përpara ndeshjes portugezi ka folur në konferecën para takimit, teksa është pyetur në lidhje me rikthimin e tij në “teatrin e ëndrrave” si dhe për krizën që po kalon Reali i Madridit.

KRAHASIMI JUVENTUS-REAL – “Nuk dua të bëj krahasime sepse janë të dyja skuadra shumë të mëdha. Me Realin e kam mbyllur, Juve është një kapitull i ri. Jam shumë i lumtur që kam luajtur këtu në Mançester, me Realin dhe Juventusin. Jam një njeri i lumtur dhe me fat”.

NDESHJA – “Do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi ata luajnë në shtëpi dhe janë të fortë. Gjithsesi pavarësisht vështirësisë, ne kemi armët tona dhe jemi Juventus. Nëse luajmë mirë dhe ashtu siç kërkon trajneri kemi shanse të mira për të fituar. Duhet ta respektojmë kundërshtarin, por kemi ardhur për të fituar”.

RIKTHIMI NË MANÇESTER – “Të kthehesh këtu është një emocion shumë i rëndësishëm, pasi këtu kam fituar shumë trofe. Dhe më kujtohen tifozët, që këtu në Mançester janë të pabesueshëm. Nuk e harroj edhe Sir Alex Ferguson, një person i cili ishte thelbësor për mua, i uroj atij gjithë të mirat.”

REALI NË KRIZË – “Unë nuk duhet të flas për klubet e tjera, të gjithë e njohin historinë time me Realin. Gjithsesi, nuk është momenti i duhur. Juventus luan një ndeshje shumë të rëndësishme nesër dhe nuk kam pse të flas për Realin e Madridit”.

100 DITË SI BARDHEZI – “Jam i lumtur që jam këtu, në një ekip të madh si Juventus. Gjithashtu dhe po përshtatem me Serinë A. Është ndryshe nga e kaluara, shokët e mi po më ndihmojnë shumë dhe jam duke shijuar momentin”.

NESËR NIS CHAMPIONSI I VERTETË – “Liga e Kampionëve ka nisur prej dy ndeshjesh dhe ne kemi gjashtë pikë. Jam i lumtur që jam rikthyer, pas mungesës së ndeshjes së kaluar.”

Ndiheni një shembull brenda dhe jashtë fushës?

“Unë jam një shembull, brenda dhe jashtë fushës. Gjithmonë buzëqesh, jam i lumtur dhe ndihem me fat që luaj në një ekip të madh. Unë kam katër fëmijë, bashkëshorte fantastike, pjesa tjetër nuk më shqetëson. Unë jam shumë i lumtur.”

ÇËSHTJA E PËRDHUNIMIT – “Nuk e keni dëgjuar se çfarë kam thënë më parë. Unë kam bërë tashmë një deklaratë publike, nuk do të them gënjeshtra në lidhje me situatën dhe avokatët e mi janë të sigurt. Unë jam i gëzuar jetën time dhe futbollin tim. E vërteta gjithmonë vjen e para”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *