Romanjoli: Donaruma fenomen, ja çfarë më befason nga Piatek!

Alesio Romanjoli është një nga pikat më të forta të ekipit të Gatuzos. Kapiteni i Milanit është zgjedhur nga Nike për një reklamë që promovon futbollin e femrave. Mbrojtësi ishte i pranishëm bashkë me futbollisten e ekipit të femrave të Milanit, mesfushorin Manuela Xhuljano.

24-vjeçari ka folur për “Mediaset”, duke u ndalur te momenti që po kalon Milani i tij. Kuqezinjtë renditen në vendin e katërt në kampionat, por gara për një vend në Champions është shumë e fortë.

Romanjoli ndalet dhe te sulmuesi Piatek dhe tregon se çfarë e ka surprizuar më shumë nga polaku. Më pas elozhet për Donarumën, i cili është rikthyer të tregojë kualitetin e tij dhe në fund një koment për Gonzalo Higuain.

Xhuljano (m) dhe Romanjoli (d)

MILANI – “Po kalojmë një periudhë të mirë, por më vjen keq që nuk fituam kundër Romës. Trepikëshi do të na jepte një avantazh të mirë për vendin e katërt, por jemi afër Interit. Kampionati është ende i gjatë dhe ka shumë përballje direkte. Eliminimi nga Europa League na lejon të luajmë një ndeshje në javë dhe të përqendrohemi në garën për një vend në Champions.”

PIATEK – “Kristof shënoi një dygolësh në debutim dhe po bën shumë mirë. Po e shijojmë atë dhe shpresoj që të vazhdojë të shënojë në çdo ndeshje. Ajo që më ka befasuar më shumë nga ai është dëshira dhe uria e tij e madhe. Shihet qarte që është i vendosur për të treguar potencialin e tij dhe për t’u përmirësuar.”

DONARUMA – “Xhixho është një fenomen. E kam thënë gjithmonë një gjë të tillë dhe do të vazhdoj ta përsëris. Na ndodh të gjithëve të gabojmë, por tani po luan në nivele të larta. Të kesh një ndikim kaq të madh në Serie A dhe në kombëtare, është një gjë e rrallë për një 20-vjeçar.”

HIGUAIN – “Nuk jemi lehtësuar nga një barrë, përkundrazi. Pipita është një nga sulmuesit më të fortë në botë. Më vjen keq që u largua, sepse ishte i rëndësishëm për ne, por çdokush bën zgjedhjet e tij. Ai dëshironte të largohej, ne e respektojmë dhe i dërgoj urimet më të mira, sepse mbetet një mik i mirë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *