Roma dëshiron të zhvillojë një merkato cilësore për sezonin e ardhshëm. Drejtuesit e klubit italian kanë hedhur sytë nga kampionati spanjoll, aty ku kanë dy preferenca.
Sipas raportimeve të “AS”, verdhekuqtë pëlqejnë Zhan-Kler Todibo dhe Tomas Parti. I pari është pjesë e Barcelonës dhe luan në rolin e mbrojtësit dhe mesfushorit defensiv, ndërsa i dyti aktivizohet me Atletikon e Madridit dhe bën rolin e mesfushorit.
19-vjeçari francez u transferua në Katalunjë gjatë merkatos së janarit nga Tuluza, por nuk ka arritur ende të debutojë me ekipin e ri. Roma dëshiron të blejë kartonin e tij, ose ta marrë në huazim. Barcelona pret mbylljen e akordit me Matijs De Ligt dhe diçka e tillë do të lironte Todibon.
Sa i përket ganezit, kartoni i vlerësohet të paktën 35 milionë euro, por Diego Simeone nuk dëshiron që të heqë dorë nga shërbimet e tij. Në garë për të janë edhe Interi me Mançester Sitin, kështu që Roma nuk do ta ketë aspak të thjeshtë që të sigurojë shërbimet e 25-vjeçarit.