Sebastian Rode mund të jetë blerja më e dështuar e historisë së Dortmundit. Futbollisti gjerman u ble dy vite e gjysmë më parë nga rivalët e Bajernit të Mynihut për 12 milionë euro, por në dy sezonet e fundit ai nuk ka luajtur qoftë dhe asnjë minutë në Bundesligë.
Shkak për këtë regres të frikshëm kanë qenë dy dëmtime të përsëritura në gju. Në fund të nëntorit, Rode u rikthye të luante me skuadrën rezervë të Dortmundit dhe hap pas hapi 28-vjeccari po rikthehet ai i mëparshmi, por është e qartë që e ardhmja e tij nuk është te Dortmundi.
Sipas medies së njohur “Kicker”, në janar Rode do të huazohet tek ekipi i Ajntrahtit të Frankfurtit. Pikërisht në këtë skuadër, mesfushori arriti kulmin e karrierës e më pas siguroi një transferim te Bajerni i Mynihut, ku luajti për dy vite.