Te Bajerni i Mynihut, ka mbaruar një epokë. Arjen Roben dhe Frenk Riberi, dyshja e njohur si “Robbery”, do të largohen nga bavarezët në fund të sezonit, skuadër me të cilën së bashku kanë luajtur 22 vite. Roben ka luajtur 306 ndeshje dhe është përfshirë në 244 gola. Ka fituar 19 trofe gjatë dekadës që ka qëndruar te Bajerni.
Holandezi nuk është ende gati të varë këpucët në gozhdë dhe si pasojë, kanë filluar thashethemet për të ardhmen e tij. Ofertat po mungojnë për veteranin, gjë e kuptueshme për moshën e tij. Pista e vetme, Kina.
“Një transferim në Kinë do ishte diçka shumë e ndryshme për mua. Po të transferohesh atje, do të thotë që karriera jote ka mbaruar”, tha Roben në vitin 2017.
Mbetet për t’u parë nëse sulmuesi holandez do të zgjedhë Kinën për të vazhduar karrierën e tij, ose nëse do të presë edhe për një mundësi të fundit në kampionatet elitare të Europës.