Tibo Kurtua, u transferua verën e vitit të kaluar nga Çelsi në drejtim të Realit të Madridit. Kalimi i gardianit belg në Madrid, u shoqërua me shumë kontestime, sidomos nga një pjesë e kryeqytetit spanjoll, ku kujtojmë, Kurtua ka qenë pjesë e Atletikos në të kaluarën për 3 sezone.
Fundjavën që lamë pas, u luajt derbi i Madridit në “Wanda Metropolitano”, ku Kurtua mori një pritje shumë të hidhur nga tifozët e Atletikos. Lidhur me këtë çështje, si dhe me kalimin e tij në Madrid e largimin nga Çelsi, ka folur vetë portieri 26-vjeçar, në një intervistë për mediat spanjolle.
NDESHJA NDAJ ATLETIKOS SI “ISH” – “Gjithmonë e kam respektuar ekipin rival dhe tifozët e saj, e njëjta gjë vlejti dhe në ndeshjen ndaj Atletikos. Nuk kam asgjë kundër klubit, teksa kalova tre vite atje dhe dhashë më të mirën dhe fituam trofe. Çdo gjë tjetër është diçka e vogël që nuk ja vlen të shqetësohesh.”
TRANSFERIMI TE REALI – “Nuk pata asnjë hezitim për t’u bashkuar me Realin e Madridit, pasi çdo lojtar kërkon të jetë këtu. Isha i lumtur te Çelsi dhe e shijova Londrën. Shokët e mi në ekip gjithashtu ishin fantastikë. Nuk kisha dëshirë për ta lënë Çelsin, por kur Reali u interesua për mua, e dija që ishte një mundësi që nuk mund të injorohej.”
OBJEKTIVAT – “Duam të fitojmë çdo trofe. Kemi lojtar të klasit botëror në çdo pozicion. Fituam Botërorin e klubeve këtë sezon dhe dua që t’i shtojmë trofetë akoma më shumë.”