Iker Kasijas ia hodhi paq, e keqja u largua dhe ai ndihet më mirë. Po ashtu ndihen miqtë e tij dhe miliona tifozë të futbollit. Portieri i Portos i qetësoi të gjithë me foton e postuar në rrjetet sociale, ku shfaqej i qeshur dhe konfirmonte gjendjen e tij të mirë pas atakut në zemër.
Tashmë të gjithë po mundohen t’i përgjigjen pyetjes nëse spanjolli mund të zbresë sërish në fushë apo jo. Të ndarë janë mjekët, disa shpresojnë akoma, ndërsa një tjetër tregohet kategorik dhe mohon çdo mundësi rikthimi.
38-vjeçari (i mbush me 20 maj) ka një kontratë deri në fund të sezonit të ardhshëm me portugezët e Portos, ekip me të cilin aktivizohet që nga vera e vitit 2015.
“Iker mund ta kalojë atakun kardiak pa pasoja, por është shumë herët për të folur për të ardhmen e tij futbollistike. Gjithçka do të varet nga faza e rikuperimit dhe dëshira e tij. Nevojitet një qetësi e madhe për të vendosur nëse do të vazhdojë apo jo”, komenton Nelson Puga, shefi i stafit mjekësor të Portos.
Ndryshe mendon Huan Antonio Korbalan. Dikur ka luajtur basketboll, ndërsa sot është një nga kardiologët më të mirë në botë. “Jo, Kasijas nuk mund të luajë më futboll. E pamundur që një futbollist të luajë me një stent koronar, aq më tepër një portier. Iker mund të vazhdojë një jetesë normale, por nuk do të praktikojë me sporte profesioniste.”