Të shtunën në orën 13:30, Premier Liga rikthehet me një nga duelet më të bukura të saj. Çelsi i Sarrit pret Mançesterin Junajtid në një sfidë që premton rivalitet dhe emocione.
Një ndeshje e veçantë për Zhoze Murinjon, i cili do të rikthehet në stadiumin ku ka kaluar një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij. Portugezi ka drejtuar për pesë vite “Blutë e Londrës” në dy periudha të ndryshme, ndërsa tashmë do të rikthehet për të triumfuar me Mançesterin e tij.
Murinjo ka folur për rikthimin në “Stamford Bridge”, duke theksuar se nuk do të festojë si i çmendur, nëse ia del të fitojë. Ai ruan respekt për ish-tifozët e tij.
“Për mua është ndeshja e radhës. Do të festoj golat, apo fitoren e mundshme të ekipit tim? Jo, nuk do ta bëj një gjë të tillë. Për të festuar i bie të humbas kontrollin tim emocional, por kjo gjë vështirë të ndodhë. Besoj se do ta kontrolloj veten dhe do të respektoj stadiumin dhe tifozët, të cilët i kam patur në krah për disa vite.”
Portugezi ndalet te ndeshja dhe gjendja e ekipit të tij. Ekipi e ka shfrytëzuar periudhën e pushimit duke u stërvitur mirë dhe është gati për sfidën me Çelsin. “Disa lojtarë e kanë marrë veten fizikisht, ndërsa të tjerë janë rikthyer me dëmtime nga ndeshjet e kombëtareve. Disa do të përpiqen deri në fund që të jenë pjesë e këtij takimi, si Ander Herrera. Spanjolli nuk është akoma gati, është stërvitur mirë në dy ditët e fundit, por të shohim nëse do të arrijë të luajë“, përfundon trajneri i Junajtid.