Rikthimi, fati dhe Tirana, Prenga: Kundërshtarët nuk kanë çfarë kërkojnë në Laç!

0

Besnik Prenga është rikthyer përsëri te Laçi. Trajneri mirditor drejtoi bardhezinjtë në Kupat e Europës, duke arritur një sukses të madh me eliminimin e Anorthosis Famagustës. 49-vjeçari është mik me presidentin Laska dhe ka vendosur të trajnojë përsëri ekipin kurbinas.

Në prononcimin për “SportEkspres.com”, Prenga tregon se ka zgjidhur gjithçka me klubin e Lokomotivës së Zagrebit dhe është gati të nisë aventurën e dytë me Laçin. Ai është i fokusuar te ndeshja me Tiranën, ka besim të plotë te grupi, pjesën kryesore e të cilit e njeh, tregon objektivat e tij. Respekt për kundërshtarin e së shtunës, por Prenga nuk përton t’i frikësojë kundërshtarët. Sidomos në Laç, të gjithë duhet t’i “harrojnë” pikët.

RIKTHIMI – “Në momentin që jam larguar nga Laçi, e thashë që ndoshta do të ketë një rikthim. Nuk e mendoja që do të ishte kaq e shpejtë, por gjithmonë, me kënaqësi, do ta pranoja ftesën, kështu që dhe tani e pranova. Me të thënë të drejtën, jo se u befasova, por nuk kisha mundësi t’i thoja presidentit të Laçit që nuk mund të vij direkt. E di se pritshmëria është e madhe dhe ditët janë pak. E di se ku kam ardhur, pasi e njoh ekipin dhe i njoh çunat. Pavarësisht se jam larguar, e kam ndjekur jo kampionatin, por ekipin e Laçit. Besoj te çunat, besoj te vetja, besoj te klubi dhe do mundohem të marr 100% nga ekipi, pavarësisht se nuk ka kohë.”

LAÇI NË JAVËT E FUNDIT – “Në futboll duhet të kesh edhe fat. Do zoti ta kem unë atë fat që paraardhësit e mi nuk e kanë patur. Nuk mendoj se Laçi që paraardhësit e mi nuk e kanë patur. Nuk mendoj se Laçi ka bërë paraqitje negative. Ndoshta, ekipi nuk ka qenë siç pritet në sulm. Mendoj se Mërgjyshi dhe Memelli janë përpjekur të marrin maksimumin nga ky ekip. Kanë dhënë 100%, kanë patur ndeshje shumë të mira, por pak fat u ka munguar, të cilin dëshiroj ta kem unë.”

NDRYSHIMET – “Sapo kam ardhur dhe nuk e kam marrë akoma ekipin në dorë. Nuk besoj se do të ketë ndryshime taktike apo në formacion, sepse besoj se ata kanë punuar mirë. Lojtarët janë këta që janë, do të mundohem të nxjerr maksimumin nga lojtarët. Më tepër mund të kenë patur ndonjë barrierë psikologjike, kështu që duhet të flas me çunat, t’ua ndjej pulsin dhe të shtunën të japin gjithçka për të arritur te fitorja.”

KUNDËRSHTARI – “Tirana është Tiranë. Kur shikon renditjen, mendohet se është një ndeshje e lehtë, ose ne jemi favoritë, megjithatë Tirana është Tirana. Ata janë një ekip me traditë, kanë në përbërje lojtarë të mirë, kanë një trajner të ri, i cili ashtu si unë, do të japë maksimumin dhe do tentojë të marrë 100% nga lojtarët e vet. Ata kanë traditën, vijnë nga një fitore në kampionat, janë më të qetë, kështu që nuk do të jetë një ndeshje e lehtë. Megjithatë, ne jemi Laçi, luajmë në fushën tonë dhe në fushën tonë, jo vetëm Tirana, por dhe ekipet e tjera nuk kanë çfarë kërkojnë.”

MERKATO – “Nuk do doja të flisja për merkaton. Dua të flas për këto dy ndeshje, dua të marr maksimumin nga këto dy ndeshje. Jam i sigurt që lojtarët do të më ndjekin, do japin 100%. Do zoti kemi fat, sepse është e vështirë kur nuk ke fat. Atë nuk kishin paraardhësit e mi, ishalla dhe besoj se do ta kem unë.”

Prenga gjatë prezantimit të Uzunit te Lokomotiva e Zagrebit

LARGIMI NË VERË– “Nuk bëhet fjalë për pendim. Herën e parë erdha për të ndihmuar Laçin. Mendova se kishte nevojë për mua, erdha dhe ia arrita qëllimit. Bëmë atë që kishte menduar presidenti, unë dhe drejtori. Të gjithë bashkë ia arritëm qëllimit, u kualifikuam një tur, bëmë një shitje në Europë, e para për ekipin tonë. Isha i zënë me punë, kisha një kontratë me një klub tjetër. Ishte një aventurë që ia vlejti ta bëja.”

KONSENSUSI ME LOKOMOTIVËN – “Çdo gjë zgjidhet. Mjafton dëshira e të dy palëve për të zgjidhur çdo lloj mosmarrëveshje, apo kontrate. Nuk është sekret që unë jam i punësuar te Lokomotiva e Zagrebit. Kryesorja është që unë doja të vija të ndihmoja Laçin për të arritur qëllimet, kontratat janë për t’u zgjidhur. Çdo gjë është zgjidhur.”

LAÇI – “Duke e parë ekipin, Laçi është një faktor prej vitesh. Është një ekip që kalon në finale të Kupës se Republikës, ka qenë ndër 5 ekipet më të mira të kampionatit në vitet e fundit, kështu që pa elemente, asnjë trajner nuk i arrinte këto rezultate. Kur e drejtova ekipin e Laçit në Europë, nuk mendoj se e bëra këtë gjë më një ekip që nuk kishte aftësi, apo mundësi për të bërë një gjë të tillë. Lojtarët në ekip janë cilësorë, por futbolli është i paparashikueshëm. Sot dikush është në formë shumë të mirë, mendon se vlen, nesër shpërthen dikush tjetër. E rëndësishme është që Laçi ka lojtarë të rinj, profesionistë, të cilët punojnë shumë. Është e papëlqyeshme që unë të thoja sot me emra që ky apo ky lojtar janë përparësi, apo mund të shiten. Kemi ekip të mirë në përbërje, që nga kapiteni i U21 të Shqipërisë, e deri te lojtarë shumë cilësorë, të cilët rrahin te dera e Bushit, ose ekipit kombëtar. Çunat vazhdojnë të punojnë, si para disa muajsh kur isha këtu. Të japim më tepër se duhet, më të mirën tonë për t’ia dalë në këto dy ndeshje.”

OBJEKTIVAT – “Janë dy ndeshje, kam kohë vetëm 9 ditë. Nuk më ka thënë njeri për objektiva, kam ardhur të marr maksimumin në këto dy ndeshje. Më pas do të flasim për objektivat, merkaton, apo çdo gjë tjetër. Momentalisht mendoj vetëm për ndeshjen me Tiranën, të karikohemi për këtë ndeshje dhe jam i sigurt që djersa do të jetë e madhe dhe rezultati do të jetë në favorin tonë.”

VLADIMIR PRENGA

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.