Rikthime “big” te Kukësi, Rexhinaldo ka një fiksim

Rexhinaldo rikthehet në Gjirokastër, këtë herë si kundërshtar. Nuk është hera e parë, pasi vjet ishte pjesë e Laçit dhe madje u shënoi bluzinjve. Tani është pjesë e Kukësi dhe për “RTSH Sport” ai ka folur për ndeshjen e së shtunës ndaj gjirokastriteve. Gjithashtu ai ka folur edhe për distancën me skuadrat e kreut dhe objektivin personal. Fiksimi është ta thyejë rekordin e vjetshëm.

“Sigurisht që çdo ndeshje është e rëndësishme. E dimë se përballë kemi një kundërshtar të organizuar mirë, por ne do të shkojmë atje për të marrë tre pikët. Skuadra është në presion të vazhdueshëm para çdo ndeshjeje, por i tillë është futbolli dhe veçanërisht kur luan për një klub si Kukësi pretendent për titullin kampion. Tani kemi ndeshjen e radhës dhe e respektojmë Luftëtarin. Megjithatë shkojmë vetëm për fitore”.

“Distanca me kreun? Nuk besoj se kemi mbetur prapa me rivalët, jemi vetëm 7 pikë larg dhe në dy ndeshje situata përmbyset. Ne duhet të gjejmë mënyrën se si ta minimizojmë këtë diferencë dhe besoj se do t’ia dalim”.

“Dëshira ime është të shënoj në çdo ndeshje dhe të jem sa më afër portës, por e rëndësishme është të fitojë skuadra. Në fund qëllimi im është të shënoj më shumë se 18 gola. Dua ta tejkaloj sezonin e shkuar”.

RIKTHIMET – Ylli Shameti është bashkuar me grupin dhe mendohet se do të jetë gati për ndeshjen me Luftëtarin. Po ashtu edhe mbrojtësi Simo Rrumbullaku. Ky i fundit madje edhe ka folur para takimit ndaj skuadrës së origjinës.

“Kam punuar shumë individualisht, rikuperimi ka shkuar shumë mirë. Shpresoj të jem gati për këtë ndeshje. Normal është një ndeshje në transfertë, një ndeshje e vështirë. Duhet të luftojmë si në ndeshjen me Kamzën. Kishim një formë të mirë javën e shkuar, shpresoj që edhe këtë javë do jemi të përqendruar që të marrim tre pikët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *