Juventus është shumë pranë Matijs De Ligt. U përfol për një kalim të mbrojtësit holandez te Barcelona dhe më pas te PSG, por bardhezinjtë nuk u dorëzuan asnjë moment. Sipas raportimeve të mediave spanjolle, ftesa që i bëri Kristiano Ronaldo 19-vjeçarit pas finales së Ligës së Kombeve ka patur ndikimin e vet.
Lojtari është lumturuar nga fjalët e portugezit dhe diçka e tillë i pëlqen shumë edhe agjentit të tij. Mino Rajola, përveçse ka raporte shumë të mira me drejtuesit e “zonjës së vjetër”, është i bindur që klienti i tij do të përmirësohet shumë në një ekip me yllin portugez.
Juventusi do të paguajë 70 milionë euro tek Ajaksi (shkon në 80 milionë shuma bashkë me bonuset), ndërsa qendërmbrojtësin e pret një kontratë 5-vjeçare me një rrogë bazë prej 7.5 milionë eurosh në sezon, por që shkon në rreth 12 milionë bashkë me bonuset e majme. Diçka e tillë do e bëjë De Ligt lojtarin e dytë më të paguar në Serie A pas Kristiano Ronaldos.
Një arritje e madhe për të dhe një përforcim me vlera për kampionët e Italisë, të cilët sigurojnë një mbrojtës plot kualitet, i cili është lider, ka cilësi fizike dhe teknike shumë të mira, inteligjent dhe njohës i mirë i golit. Mos harroni që është vetëm 19 vjeç…