Mesfushori i lindur në Prizren, Elvis Rexhbecaj, ka qenë një ndër zbulimet e sezonit e futbollit gjerman gjatë sezonit të kaluar. Lojtari i Volfsburg arriti të zinte një vend në formacionin e skuadrës gjermane, pavarësisht konkurrencës së madhe.
Në një intervistë për “Sportbuzzer”, 21-vjeçari flet mbi ish-trajnerin Bruno Labadia dhe faktin që nuk mori një ftesë nga trajneri i Gjermanisë U21 Stefan Kunc për Europianin U21.
KOMBËTARJA GJERMANE – “Qëllimi im ka qenë gjithmonë që të isha pjesë e ekipit të parë të Volfsburgut. Besoj se kam arritur diçka të madhe dhe jam shumë krenar për këtë gjë. Shumë nga shokët e mi më kanë thënë se meritoja një ftesë për në kombëtaren U21, por nuk jam i mërzitur, i detyrohem shumë këtij kombi Nëse do të ndodhte do ishte diçka e mrekullueshme. Çdokush e ëndërron këtë. Shpresoj që skuadra U21 të vazhdojë kështu, jam i sigurt që do të arrijnë në finale.”.
ISH-TRAJNERI LABADIA – “Gjithmonë e kam vlerësuar besimin e madhe që trajneri Labadia pati tek unë. Kur më futi për herë të parë kundër Bajernit kisha shumë emocione, por më pas gjithçka u mësova dhe futesha i qetë në çdo ndeshje. Ai më inkurajonte që gjuaja shpesh portën, jam bërë një lojtar më sulmues falë tij”.
“Mezi po pres të luaj në Europa League. Dua ta provoj veten kundër klubeve të mëdha si Mançester Junajtid dhe Roma. Skuadra është në formë të shkëlqyer, sezonin e kaluar ishim ekipi që vrapuam më shumë”, përfundoi Rexhbecaj.